Rajon - Botë

Dokumentet amerikane: “Ana e errët” e bashkëpunimit mes Turqisë dhe Rusisë kundër Ukrainës

Sa i përket rolit të Turqisë në konfliktin Rusi-Ukrainë, në dokumentet e publikuara sekrete amerikane, thuhet se Turqia e ka paraqitur veten si një ndërmjetësuese midis Ukrainës dhe Rusisë, duke ndihmuar në negocimin e një marrëveshjeje për të mbajtur dërgesat e grurit përmes Detit të Zi dhe duke ruajtur lidhjet diplomatike me Rusinë, por duke i ofruar gjithashtu drone Ukrainës.

Megjithatë, një pjesë e raporteve të fshehta të inteligjencës amerikane që rrjedhën në opinion, tregon një anë më të errët të pozicionit të Turqisë si një shtet që favorizon qartë Rusinë.

Një faqe përshkruan se si Turqia e ka ndihmuar Rusinë dhe aleatin e saj Bjellorusinë për t’iu shmangur sanksioneve të ashpra perëndimore – një shqetësim që zyrtarët amerikanë e kanë shprehur publikisht.

Për Bjellorusinë, dokumenti thotë: “Kompanitë turke blenë mallra të sanksionuara” dhe më pas “i shitën në tregjet europiane”. Në drejtim të kundërt, shtoi ai, këto kompani “rishesin mallra nga Evropa në Rusi”.

Më alarmant është një tjetër dokument i zbuluar që përshkruan një takim në shkurt midis “kontakteve turke” dhe Grupit Wagner, ushtri private që lufton për Kremlinin. Thuhet se Wagner ka kërkuar të “blejë armë dhe pajisje nga Turqia” për “nevojat e grupit në Mali dhe Ukrainë”.

Informacioni, për të cilin dokumenti thotë se vjen nga “sinjalet e inteligjencës” – një eufemizëm për mbikëqyrjen dixhitale – nuk shpjegon nëse blerjet janë realizuar.

Ministria e Jashtme turke nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Kina pranoi të armatoste fshehurazi Rusinë

Kina miratoi dhënien e ndihmës vdekjeprurëse për Rusinë për luftën e saj në Ukrainë, por donte që çdo dërgesë të mbetej sekret, sipas dokumenteve të qeverisë amerikane të zbuluara.

Një përmbledhje e fshehtë e inteligjencës e datës 23 shkurt thotë se Pekini kishte miratuar furnizimin në rritje të Moskës me armë, të cilat do t’i maskonte si sende civile, sipas një raporti në Washington Post.

Përgjimi i inteligjencës ruse tregon se Pekini dëshironte të maskonte ndihmat vdekjeprurëse si objekte civile, thuhet aty.

Inteligjenca u mblodh nga agjentë amerikanë që përgjonin diskutimet e shërbimit sekret rus, raportoi gazeta. Rusët thanë se komisioni qendror ushtarak i Kinës donte që dërgesat të mbeten sekrete.

Një dosje e veçantë e inteligjencës në grumbullin e dokumenteve të zbuluara tha se Pekini do të konsideronte një sulm “të rëndësishëm” ukrainas me armë të SHBA ose NATO në territorin rus si një përshkallëzim të konfliktit që do të meritonte dërgimin e armëve në Rusi.

Dosjet ishin pjesë e një grupi të madh dokumentesh të klasifikuara të zbuluara që u shfaqën në platformën online Discord muajin e kaluar.

Të premten, Jack Teixeira, 21-vjeçari i akuzuar për nxjerrjen e dokumenteve, doli në gjykatë në Boston. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se dokumentet janë autentike dhe përmbajnë informacione shumë të ndjeshme, edhe pse disa duket se janë përpunuar.

Sipas dokumenteve të zbuluara, forcat speciale të Rusisë janë shkatërruar nga lufta në Ukrainë. Washington Post citoi një raport të inteligjencës që thoshte se një njësi elitare, Brigada 346 Spetsnaz ka vetëm 125 trupa të mbetura nga 900 të dislokuara.

“Nuk ishte e qartë se kur u bë ai vlerësim, por përputhet me vlerësimet e analistëve për vështirësitë e Rusisë në Ukrainë.”

Të premten, ministri i Jashtëm i Kinës, Qin Gang, tha se vendi i tij nuk do të sigurojë armë për asnjërën palë të konfliktit dhe gjithashtu do të kufizojë eksportin e teknologjisë me përdorim të dyfishtë.