Kosovë

Policia intervenon pas kërcënimeve që mori analisti Pozhari, ky i fundit e falënderon publikisht institucionin

Policia intervenon pas kërcënimeve që mori analisti Pozhari, ky i fundit e falënderon publikisht institucionin
Analisti i njohur Xhevdet Pozhari para 14 orësh njoftoi se u kërcënua publikisht nga një person. Rastin e denoncoi nëpërmjet llogarisë së tij në rrjetin social Facebook, ndërsa para pak orësh njoftoi se policia është përgjigjur, për çka e ka falënderuar, shkruan Kosova Post.

“Ata që bëjnë thirrje për gjak sikur Ridvani që është paguar nga taksat tona, duhet ta kenë parasysh se vetëm Serbia investonte dikur që shqiptarët të vriten midis vete. Brezave që vijnë ua kemi borxh një të ardhme më mirë, më të sigurt. Besoj se edhe Bekim Haxhiu dikur ka luftuar për këtë qëllim, veçanërisht kur është ndër të rrallët në PDK që ka votuar kundër Gjykatës Speciale! Andaj, bën mirë që t’ia rikujtoj mikut të tij militant që më drejtohet me këtë kanosje. Ky fjalor nuk i bën nderë as PDK-së dhe asnjë shqiptari. P.s Frikën e kam veç nga Ai lartë, i qofshim falë. Vdekjen e kam pa si duket, moti! Veç do të më dhimbte shpirti nëse më vjen nga një shqipfolës sepse unë plumba për shqiptarë nuk kam” – shkroi para më shumë se 14 orëve, ndërsa e demaskoi kërcënuesin nëpërmjet fotove.

Mirëpo para pak minutash njoftoi se rasti në fjalë “u sqarua”.

“Falënderojë Policinë e Kosovës për profesionalizmin dhe efikasitetin. Gjithashtu, edhe të gjithë miqtë për mbështetjen. Rasti u sqarua! Kontributi im modest do të vazhdojë të jetë gjithmonë me qëllimin më të mirë që bashkërisht të ndërtojmë shtet ku brezat e rinj do ta shohin të ardhmen. Asgjë nuk do të marrim me vete! Ndodhemi në një situatë kur përçarja dhe hasmëria midis vete mund të jetë arma më e fortë e Serbisë ndaj Kosovës. Është koha që asaj do t’i dëshmojmë se ne dimë të ndërtojmë shtet! Dhe, Albin Kurti është në rrugë të mbarë për ta bërë këtë”.

I kontaktuar nga Kosova Post, ai nuk ka dashur ta komentojë më shumë këtë situatë, ndërsa është lutur që ato të mos i persëriten as atij, e as kolegëve të tjerë./KosovaPost/