Humb jetën Jetmiri 30 vjeçar, ishte stomatolog me profesion
Merret vesh se personi që ka humbur jetën në aksident është Jetmir Morina, 30 vjeçar nga Topanica e Kamenicës, stomatolog me profesion
Për shkak të shiut të dendur, brenda një intervali të shkurtë kohe dy automjete kanë rrëshqitur me shpejtësi të mërkurën në mbrëmje në autostradën A1 pranë Winterthur, transmeton albinfo.ch. Makina e dytë ka goditur një person që mendohet se ishte duke ndihmuar personat që pësuan në aksidentin e parë.
Të mërkurën në mbrëmje pak para orës 21:00, një person 29-vjeçar ka rrëshqitur me makinën e tij nëpër mot me shi të dendur pak pas hyrjes së autostradës Winterthur-Töss në A1, shkruan agjencia e lajmeve sda. Për pasojë ai është përplasur me parmakët në të djathtë dhe është ndalur në rrugë.
Pak minuta më vonë, një shofer 39-vjeçar ka humbur kontrollin mbi automjetin e tij dhe gjithashtu është përplasur në autostradë me ç`rast ka goditur një burrë i cili, me sa duket, duke lënë makinën e tij, ishte ndalur për të ndihmuar në korsinë ku kishte ndodhur aksidenti.
Forca e madhe e goditjes e ka hedhur 30-vjeçarin mbi parmakë në Zürcherstrasse, ku ai është goditur nga makina e panjohur, transmeton albionfo.ch. Pas dhënies së ndihmës së parë mjekësore nga shërbimet e urgjencës, personi është transportuar në spital, ku ka ndërruar jetë pas plagëve të rënda. Drejtuesit e përfshirë janë transportuar në spital me një ambulancë, me lëndime të lehta.
Ndërkohë merret vesh se personi që ka humbur jetën në aksident është Jetmir Morina, 30 vjeçar nga Topanica e Kamenicës, stomatolog me profesion. I ndjeri kishte rreth gjashtë vite që jetonte në Zvicër dhe ishte baba i tri vajzave të vogla.
Shoqata e mërgimtarëve nga Topanica ka publikuar një postim në mediat sociale ku shkruan: “në vend se të shkruanim për hapjen e një ordinance Stomatologjike në Zürich, po japim këtë lajm të hidhur për largimin tënd nga kjo Botë! O Zoti ynë gradoje Dr. Jetmirin me shkallen më të lart të xhehnetit!
Familjes, Shokëve, miqve dhe gjithë vendasve Topanicas ngushllime për ndarjen nga kjo jetë të Jetmirit tonë! Amin!”
Ecuria e saktë e aksidentit është duke u hetuar nga policia kantonale në Cyrih së bashku me prokurorin publik. Për shkak të aksidentit, autostrada A1 është dashur të mbyllet pjesërisht deri rreth orës dy, përcjell albinfo.ch. Trafiku ka mundur të anashkalojë vendin e aksidentit në një korsi. Rruga Zürcherstrasse ka qëndruar e mbyllur deri në orët e para të mëngjesit.
(Foto: KAPO Zürich)