Maqedoni

“Skandaloze dhe hipokrite” – Alternativa i kundërpërgjigjet ASH-së: Frikë apo veto nga Grubi?

Alternativa e Afrim Gashit i është kundërpërgjigjur akuzave të Aleancës për Shqiptarët, e cila më herët, Lëvizjen Besa dhe Alternativën i cilësoi si parti të kontrolluara nga VMRO-DPMNE, përcjell KlanM. Nga Alternativa, thonë se mbështesin propozimin që bullgarët të jenë në Kushtetutë dhe për këtë nuk ka nevojë të jenë pjesë e grupeve punuese. Partia e Gashit pyet ASH-në e Taravarit se pse nuk e kanë pranuar amandamentin e tyre për mosvjetërimin e veprave penale.
“E kuptojmë nervozën e Aleancës. Resorët nën kompetencën e tyre po rrënohen tërësisht. Por, ne nuk mund të jemi përgjegjës për paaftësinë e tyre kadrovike dhe programore për t’u imponuar në Qeveri. AlternAtivA në asnjë moment nuk dëgjoi nga asnjë përfaqësues i partnerëve qeveritarë se Grupi i Punës do të merret edhe me propozime të tjera përveç me amendamentin kushtetues për përfshirjen e komunitetit bullgar dhe të tjerëve në Preambulë. Derisa të jetë në rend dite vetëm ai amendament, ne edhe pa pjesëmarrje në Grupin e Punës japim përkrahje blanko për integrimet evropiane të vendit.
Ndërsa sa u përket kualifikimeve të tyre morale, skandaloze dhe hipokrite është mospranimi i amendamentit tonë kushtetues për mos vjetërimin e veprave penale nga ana e Aleancës. A nuk e pranuan nga frika, apo për shkak të vetos nga Artan Grubi, e di vetë Aleanca”, thuhet në reagimin e Alternativës./KlanMacedonia