Maqedoni

Shefja e Zyrës së OBSH-së në Shkup Anne Johansen e vizitoi Universitetin e Tetovës

Shefja e Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Anne Johansen e vizitoi Universitetin e Tetovës. Gjatë qëndrimit të saj në Universitetin tonë, ajo fillimisht realizoi një takim të përbashkët me Rektorin, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, Prorektorin për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Shefik Shehu, dekanin e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, Doc. Dr. Vegim Zhaku dhe bashkëpunëtorë të tjerë. Rektori, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, fillimisht, zonjën Anne Johansen e informoi me veprimtarinë e Universitetit të Tetovës në përgjithësi, si dhe aktivitetet që i realizon Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë. Ai mes tjerash tha se, Universiteti i Tetovës është një ndër tre universitetet e vendit që e ka Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë, i cili e ka numrin më të madh të studentëve nga vendi dhe rajoni. Ne jemi të interesuar që bashkë me Ju t’i shqyrtojmë mundësitë e bashkëpunimit, respektivisht të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë dhe Zyrës së OBSH-së në Shkup, me të cilën ju kryesoni. Ai tha se, deri më tani studentët e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë bashkë me profesorët e tyre i kanë shënuar të gjitha datat e rëndësishme të cilat i shënon OBSH-ja, me qëllim të informimit dhe sensibilizimit të popullatës për t’i kushtuar rëndësi të veçantë shëndetit.

Shefja e zyrës së OBSH-së në Shkup, Anne Johansen shprehu gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me studentët dhe stafin e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë. Sipas saj, është shumë e rëndësishme që studentëve t’u jepet mundësia për t’i dërguar në trajnime të ndryshme, me qëllim të përfitimit të njohurive dhe përvojave të reja nga fusha e mjekësisë. Po ashtu, ajo tha se me kënaqësi në të ardhmen, bashkë me stafin akademik dhe studentët e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë të shënojmë së bashku të gjitha datat e rëndësishme që OBSH-ja i shënon në të gjithë botën.

Pas takimit me drejtuesit e Universitetit të Tetovës, zonja Anne Johansen zhvilloi një ligjëratë tematike para studentëve dhe stafit akademik të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë. Ligjërata kryesisht ishte e fokusuar te aktivitetet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe më gjerë.