Mickoski: Presione për ndryshimet kushtetuese
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski thotë se vazhdimisht ka presione të ndryshme, por se nuk e ndryshon qëndrimin për tu bërë pjesë e procesit të ndryshimeve të Kushtetutës. Mickoski tha se nuk mund të ketë kurrfarë modeli pa konsensus kombëtar.
“Deri më tani nuk kam dëgjuar argument që i fiton argumentet që unë i prezantoj. Në jetë duhet të keni logjikë elementare, argumentet e mia janë logjikë elementare… Modeli jonë mund të jetë vetëm model në të cilin do të kemi konsensus kombëtar në Maqedoni. Në këtë çështje nuk kemi konsensus. Konsensus bëhej kur shitej Maqedonia. Ata atë moment e lëshuan, ndërsa tani u ofrojmë model të modifikuar, të njëjtë si modeli kroat, vend anëtar i BE-së”, tha Hristijan Mickovski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Nga LSDM, Vasko Kovaçki thotë se për të folur për modelin kroat VMRO-DPMNE-ja nuk duket t’i shmanget debatit.
“VMRO-DPMNE ikë nga diskutimi. Si të flasim për model kroat ose ndonjë model tjetër kur ikin nga diskutimi. Grupi i punës do të formohet gjatë kësaj jave që vjen dhe atje do të përgatiten amendamentet të cilët më pas do të vendosen në Kuvend. Në Kuvend besoj se nuk do të ikin nga diskutimi dhe do ti diskutojmë amendamentet dhe nëse kanë ndonjë ide tjetër plotësuese, përsëri në Kuvend do ta shohim se çka do të ndodhë”, u shpreh Vasko Kovaçki, LSDM.
Ministria e Drejtësisë ditë më parë njoftoi se afati i fundit për propozimin e emrave për grupet e punës për ndryshimet kushtetuese vlen deri në 10 prill. Ndërsa vendi duhet deri në nëntor të këtij viti të miratoj ndryshimet kushtetuese, në të cilat duhet bullgarët të vendosen në Kushtetutë./Alsat.mk