Maqedoni

Banori i Gërçecit në hall: “EVN më ka faturuar 10.000 euro gabimisht, thonë paguaje borxhin, pastaj t’i minusojmë” (Foto)

Memed Memedi nga fshati Gërçec i Sarajit të Shkupit thotë se është në ankth tani e dhjetë muaj. Ai ankohet se ka problem me EVN-në, sepse çdo muaj i vjen fatura rreth 57 mijë denarë.

“Jam familje tre anëtarëshe. Cila familje tre anëtarëshe mund të harxhojë 950 euro rrymë në muaj. 57 mijë denarë nuk i harxhojmë e tërë lagja, kurse EVN vetëm mua ma sjell faturën aq”, thotë Memedi, i cili mezi e kontrollon revoltën e tij.

Ekipet e EVN-së kanë dalë në teren dhe pasi kanë kontrolluar orëmatëdin, kanë konstatuar se bëhet fjalë për gabim. Mirëpo Memedit i kanë dhënë përgjigje që e ka “goditur si të më kish nxënë rryma”.

“Më thanë paguaje borxhin, e pastaj ta minusojmë në faturat tjera. Kjo i bie se unë duhet të paguaj më shumë se 10. 000 euro, që pastaj EVN të mi kthejë me kiste. A ekziston diku ky paradoks?”, pyet Memed Memedi.
Ai do të drejtohet tek institucionet përkatëse, por është skeptik se do veprojnë, prandaj apelon tek opinioni që të bëjnë presion lidhur me rastin, duke u shprehur se “nuk mendoj që unë jam i vetmi”.

Nga EVN presim reagim lidhur me këtë rast gjatë ditës së nesërme.