Maqedoni

Po kompletohet grupi për ndryshime kushtetuese

Tre ditë para përfundimit të afatit për emërimin e kandidatëve, ende nuk dihet se kush do të marrë pjesë në grupin e punës të Ministrisë së Drejtësisë, që do të hartojë ndryshimet kushtetuese. Ministria thotë se emrat e anëtarëve do të bëhen të ditur të martën, ndërsa mbledhja e parë do të mbahet në mesin e këtij muaji.

“Ministria e Drejtësisë merr propozime nga partitë parlamentare për anëtarë të grupit të punës, që do të përgatisë ndryshimet kushtetuese. Ekspertëve u janë dërguar edhe ftesa zyrtare. Disa prej tyre tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre”, thonë nga ministria e Drejtësisë.

Të ftuar janë të gjitha partitë parlamentare, ekspertë, si dhe përfaqësues nga Ministria e Punëve të Jashtme, Sekretariati për Çështje Evropiane dhe Zyra e Presidentit të Shtetit. Nga LSDM njoftuan se deri të hënën do ta respektojnë afatin dhe do ta caktojnë përfaqësuesin e tyre në grupin punues. Për momentin, nga VMRO-DPMNE bëjnë të ditur se nuk ka ndryshim në qëndrimin e partisë – ata insistojnë që në një takim liderësh apo në duel ta diskutojnë propozimin e tyre për ndryshimin e Kushtetutës sipas modelit kroat, e më pas të formohet grupi punues si pjesë e procesit të ndryshimeve kushtetuese. Nga partitë më të vogla në Kuvend – Lidhja Demokratike e Pavle Trajanovit, vendimim do ta marrë të hënën, por me shumë gjasa nuk do të emërojnë përfaqësuesin e tyre. Partia Socialiste, e cila është partnere e koalicionit të VMRO-DPMNE-së, gjithashtu refuzoi të marrë pjesë.

Ndërkohë, Aleanca për Shqiptarët për Alsat konfirmoi se do të emërojë përfaqësuesin e tyre, por ende nuk e bëjnë të ditur emrin. Alternativa është ende duke ndërtuar një qëndrim dhe do ta njoftojnë nesër në një konferencë për shtyp. Nga ana tjetër, BESA bën të ditur se është në pritje të kërkesës me shkrim nga Ministria e Drejtësisë, për emërimin e një anëtari dhe më pas do ta emërojë atë. Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, kërkoi që debati për ndryshimet kushtetuese të mos bëhet në televizion, por vendi i shkëmbimit të ideve të jetë grupi punues i Ministrisë së Drejtësisë.

“Mendoj se është shumë më praktike, më e përgjegjshme dhe më mirë për shtetin dhe qytetarët që të marrin pjesë të gjitha partitë politike, të mos kenë frikë, këtu do t’i inkurajoja që të mos kenë frikë dhe të marrin pjesë, sepse publikisht kanë shprehur pikëpamjet e tyre, kështu që ata duhet të ballafaqohen në grupin e punës dhe të shohim nëse mund të arrijmë në një zgjidhje të përbashkët”, deklaroi Bojan Mariçiq – Zëvendëskryeministër për Punë Evropiane.

Mariçiq tha se Sekretariati për ÇËshtje Evropiane do të emërojë përfaqësuesin e tij të hënën, ndërsa të njëjtën gjë pritet ta bëjë edhe Ministria e Punëve të Jashtme. Nga kabineti i presidentit Stevo Pendarovski, paraprakisht thanë se do të emërojnë profesorin nga Fakulteti Juridik, Aleksandar Spasov, i cili është edhe këshilltar i Presidentit. /Alsat.mk