Në prill 1996 nisi kalimi i kufirit nga Kosova në Shqipëri pa viza
-Pas botimit të reportazhit tim të Marsit 1996 “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, që edhe u përkthye dhe arriti edhe te diplomatë më erdhi edhe mesazhi se kurrë më nuk do të jetë ashtu ai kufi…/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, Prill 2023/ Para 27 viteve, në 1 Prill 1996 për herë të parë kalova kufirin Kosovë-Shqipëri nëpër vendkalim kufitar, në Vërmicë-Morinë, ishte dita e parë e heqjes së vizave dalëse. Viteve më parë udhëtoja drejt Shqipërisë duke kaluar nëpër Mal të Zi, e ilegalisht në një rast i nisur nga Ulqini duke ecur këmbë drejt Shkodrës, e në një rast tjetër duke ecur këmbë nga Kumanova në Maqedoni drejt Preshevës – Kosovës Lindore…
“Lajmi i fundit” në gazetën e Kosovës “Bujku” në ballinë, i shkruar në 1 Prill 1996 nga Prizreni e Kukësi, kishte titullin “Kufiri Kosovë-Shqipëri kalohet pa viza dalëse” dhe në fund paralajmëronte: “Raport më të gjerë nga të dy anët e kufirit ndërshqiptar japim në numrin e nesërm”.
Në pasditën e 1 Prillit 1996 shkova deri në Kukës dhe u ktheva në Prizren e natën vonë në Prishtinë për të shkruar raportin nga ai udhëtim. Një fragment të atij raportimi e kam ribotuar me titull “Kronikë kufiri” para më shumë se çerek shekulli kur kam shkruar reportazhin e ardhmërisë – futuristik “Udhëtimi për në Prizren” botuar në Prishtinë e Tiranë në 31 Dhjetor 1996. Këtë reportazh futuristik që paralajmëronte bashkimin kombëtar – heqjen e kufirit Shqipëri-Kosovë e lidhjen edhe me autostradë e gjejë në Arkivin Shtetëror të Kosovës të botuar në Prishtinë në gazetën e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, dhe në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë të botuar në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja që dilte në Tiranë pasi në Prishtinë u ndalua me dhunë nga Serbia okupatore. Brenda reportazhit është edhe shënimi “Kronikë kufiri” – pjesë nga shkrimi që kam bërë në 1 Prill 1996 nga kufiri Kosovë-Shqipëri, të cilin vetëm zogjtë e kalonin pa pengesa…
“Udhëtimi për në Prizren” ishte reportazhi i dytë i ardhmërisë që kam shkruar. I pari ishte “KOSOVË: REPORTAZHI I ARDHMËRISË – Një ditë e një viti që vjen”, i shkruar dhe dërguar nga Prishtina drejt Tiranës në 27 Dhjetor 1995 dhe është botuar në atë fundvit në të dy kryeqytetet shqiptare, ndërsa i treti ishte “Kufiri i ëndrrës” që e kam shkruar në fundvitin 1997, botuar në 3 Janar 1998…
Reportazhet e ardhmërisë i botoja edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, duke thyer kufirin e hekurt me shkrimet shqip edhe me shumë raportime që bëja si korrespondent në Prishtinë i Agjencisë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë që nga 24 Maji i vitit 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare në Kosovë, kur lideri historik i lëvizjes për liri e pavarësi Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President.
Shumë nga ato që shkruaja në reportazhet e ardhmërisë – futuristike atëherë e që dukeshin si ëndërra, që ishin ngjarje të fantazuara-parashikuara, tashmë janë realizuar në Kosovën e lirë nga Qershori 1999 dhe të pavarur nga 17 Shkurti 2008…
Reportazhi i ardhmërisë II “Udhëtimi për në Prizren” i para më shumë se çerek shekulli ishte ky:
UDHËTIMI PËR NË PRIZREN
(Reportazhi i ardhmërisë II)
Behlul JASHARI
Nuk kishte arritur as t’i shfletojë mirë botimet e mëngjesit, të gazetave që i kishte marrë në Tiranë, e as ta pijë deri në fund kafenë. Udhëtimi me aeroplan nga Rinasi deri në Sllatinë kishte zgjatur vetëm njëzet e tre minuta. Kishte fluturuar mbi brerimat e bardha të reve, e nga dritarja nuk kishte mundur as përafërsisht të shohë a të përcaktojë se ku mund të jetë vija e kufirit, prej nga vinte lajmi i ditës, që e kishin botuar të gjitha gazetat: “Hiqen gurët e kufirit…” Njoftohej se lumjanët me daulle, si në dasma, kishin dalë t’i hiqnin gurët, që para shumë e shumë viteve kishin venë kufi midis tokave të tyre. Nuk ishte ky kurrëfarë incidenti kufitar, por edhe paralajmërim i një ngjarjeje, për të cilën reporteri nga Tirana ishte nisur për në Prizren.
Kishte ardhur më parë në Prishtinë për të shfletuar kronikat e viteve të bujshme të Kosovës. Donte të bënte edhe një kronikë ngjarjesh që i paraprinë një Kuvendi të madh kombëtar, që do të mbahej pas një kohe në Prizren, në kryeqytetin e Lidhjes Shqiptare. Në Prizren pritej edhe manifestimi qendror i përurimit të autostradës Lezhë-Prizren-Prishtinë, të ndërtuar nëpër shtigjet e rrugës së vjetër Lis-Dardani…
Pikërisht udhëtimet Kosovë-Shqipëri nëpër vite ishin një nga interesimet gjatë shpalimit të kronikave në Bibliotekën Kombëtare e Universitare në Prishtinë. Viti 1996 iu duk se ishte një vit kthesë. Më 1 prill të këtij viti, për herë të parë pas shumë viteve, shqiptarët e Kosovës së pushtuar filluan të udhëtojë për në Shqipëri pa viza dalëse, që i kishte aplikuar regjimi i Beogradit për të penguar komunikimet ndërshqiptare. Rexhimi i vizave ishte tepër rigjid. Vetëm brenda një viti mbi një mijë shqiptarëve të Kosovës iu kishin konfiskuar pasaportat e u ishin shqiptuar dënime nga policia e nga gjyqet serbe vetëm e vetëm pse kishin udhëtuar në Shqipëri pa viza dalëve. Po, udhëtimet nuk ndaleshin me gjithë vrasjet në kufirin e ndodhur nën kontrollin e hekurt të forcave serbe.
Pasi ishte hequr regjimi i vizave dalëse, sipas kronikave të kohës, Prizreni priste të bëhet qendër shumë e rëndësishme e komunikimeve ndërshqiptare nëpër magjistralin Prishtinë-Lezhë. Magjistrali është quajtur rrugë e ardhmërisë nëpër shumë shkrime gazetash të vitit 1996, kur nga Prishtina për në Tiranë udhëtohej më shumë nëpër Podgoricë apo Shkup dhe udhëtimi zgjaste deri shtatëmbëdhjetë orë. Ishte llogaritur se magjistrali Lezhë-Prizren do të shkurtonte për tre herë rrugën nga Kosova për në bregdetin shqiptar. Midis këtyre dy qyteteve shqiptare ai magjistral i shtrirë nëpër luginat e lumenjeve Fani i Vogël e Drini i Bardhë do të kishte maksimum 130 kilometra…
Tek shfletonte kronikat e vitit 1996 në Kosovë, gazetarit nga Tirana përshtypje të veçantë i bëri edhe një titull i madh në faqen e parë të gazetës: “Jemi zotuar për të ardhmen e lirinë tuaj”. Ishin këto fjalët e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit Xhon Kornbllum në hapjen e Zyrës Amerikane në Kryeqytetin e Kosovës, më 5 qershor. “Kjo është një ditë historike për Kosovën”, deklaronte me këtë rast presidenti i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova.
Shfletimi i kronikave për përfaqësinë e parë të një shteti të hapur në Kosovë ia përkujtoi se duhet të shkojë brenda ditës në ambasadën e Shqipërisë në Prishtinë, në kuadrin e ambasadave në kryeqytet…
Derisa po kthehej, kishte rënë nata, rrugët dhe sheshet e kryeqytetit të ndriçuara me neon ishin të mbushura plot njerëz. Masa e njerëzve që shëtitinin në atë mbrëmje të këndshme ia kujtoi të dhënën se numri i banorëve të Kosovës kishte arritur në mbi tre milionë.
U ndal më gjatë para reklamave të kinemave e teatrove të kryeqytetit. E shihte se do ta kishte vështirë të përcaktohej ku të shkojë, por as nuk kishte kohë. E priste takimi me kolegët gazetarë të Prishtinës në hotelin “Bozhurët e Kosovës”, ku ishte vendosur. I pihej edhe një raki rrushi e Rahovecit…
Po, kishte pirë edhe ca më shumë, dhe derisa po lexonte teletekstin shqiptar dhe gazetat e mbrëmjes, e kishte zënë gjumi. E kishte zgjuar herët cingërrima e telefonit. Ishte një telefonatë nga Tirana, që e paralajmëronte se pas një ore duhej të paraqitej drejtpërdrejt me raport për lajmet e mëngjesit në Televizion.
Raportin e kishte në mendje, po, megjithatë, po e shkruante edhe në letër: “Në Prishtinë dhe në gjithë Kosovën pritet me interesim shumë të madh Kuvendi gjithëkombëtar, që do të mbahet në Prizren. Pritet edhe përurimi i magjistralit…Heqja e gurëve që shënonin kufirin është manifestim i entuziazmit e gëzimit të popullit për bashkimin kombëtar që paralajmërohet…”
Pas festës së madhe që paralajmërohej me mbajtjen e Kuvendit kombëtar në Prizren po e priste edhe një festë e bukur: Dita e Verëzes – Dita e Luleve.
Është kjo një festë e lashtë iliro-pagane, që, pos në Prizren e rrethinë, nga të gjitha trojet shqiptare festohet vetëm edhe në Elbasan, në të njëjtën ditë, më 14 mars, po me emër ca ndryshe: Ditë e Verës – Ditë e Luleve. Prandaj, në këtë festë në Prizren udhëton edhe një delegacion nga qyteti i Elbasanit.
Kështu, si një surprizë hyn edhe Festa e Luleve në reportazhin e ardhmërisë të reporterit në udhë për në Prizren, prej nga do të kthehet përsëri në Tiranë, për herë të parë nëpër magjistralin e sapoperuruar, vetëm për afër dy orë. E, në Vermicë s’do të jetë më pika kufitare, s’do të jetë më kufiri…
KRONIKË KUFIRI
Kufiri Kosovë-Shqipëri nuk është më si fundi i botës. Pas shumë vitesh kalohet sot për herë të parë pa viza dalëse nëpër pikën kufitare të Vermicës. Po, megjithatë, aty ende ndalojnë forcat serbe dhe është një kontroll i hekurt.
Në njërën anë – bunkerët e betonit, që kanë mbetur si të harruar e janë mbuluar nga ferrat e bari.
Në anën tjetër – “piramidat e betonit”, kaherë të vendosura në zonën kufitare si “pengesa antitanke”.
E, mbi të gjitha pejzazhet shqiptare, midis të cilave sikur mbytet vija e mallkuar e kufirit të aq shumë ndarjeve. Mbi malet e ashpra me borë të Sharrit, Pashtrikut e Koretnikut fluturon një Shqiponjë, nëpër qiellin e përflakur nga dielli në pranverë si në sfondin e flamurit.
E, jo vetëm stinën, por edhe kohën që vjen, sikur e paralajmërojnë dallëndyshet e lejlekët që fluturojnë mbi syprinat e kaltra të lumit të Drinit.
Megjithatë, vetëm zogjtë kalojnë kufirin pa pengesa…(Vermicë, 1 prill 1996)
NGA REPORTAZHI IM I MARSIT 1996 “MURI NDËRSHQIPTAR SI ‘FUNDI I BOTËS’”:
E më pak se dy javë para 1 Prillit 1996, jo rrugës po nëpër male fshehtas nëpër shtetrrethimin e forcave serbe shkova deri afër kufirit Kosovë-Shqipëri dhe nga një kodrinë shihja si dukej e çka ndodhte në vendkalimin kufitar në Vermicë-Morinë, prej nga shkrujta reportazhin “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, të cilin e botova në gazetën e rezistencës “Bujku” më Prishtinë para 27 viteve, në 18 Mars 1996.
Reportazhin e dërgova edhe në Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë. Në “Paraqitje e shkurtër e regjistrimeve të gjetura” të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë e gjejë se reportazhi është botuar në 19 Mars 1996 edhe në gazetën Rilindja që dilte në Tiranë pas ndalimit nga regjimi okupues në Prishtinë. Në atë reportazh mes tjerash, kam shkruar:
“Një grup i të rinjëve dhe të rejave nga rrethi i Prizrenit, ditë më parë ishin penguar të shkojnë në Shqipëri, meqë nuk iu ishin dhënë vizat dalëse nga administrata e instaluar policore serbe në Prizren.
Qëllimi i udhëtimit të tyre në Shqipëri ishte të marrin pjesë në festën e njohur të qytetit të Elbasanit-të Ditës së Verës, Ditës së Luleve, të 14 Marsit.
Donin të shihnin se si kremtohet në Elbasan e njëjta festë që është edhe në Prizren e rrethinë”…
***
Pas botimit të reportazhit “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, që edhe u përkthye dhe arriti edhe te diplomatë më erdhi edhe mesazhi se kurrë më nuk do të jetë ashtu ai kufi…
Në gazetën “Bujku” reportazhi ka nënshkrimin edhe të korrespondentit të saj në Prizren, Fatmir Pireci, bashkë me të cilin shkuam drejt kufirit…