Publikohet video, ja si u rrah bullgari Pendikov në Ohër (Video)
Prokuroria e Ohrit prezantoi provat materiale, përfshirë edhe videon, ku shihen tre persona duke rrahur Hristijan Pendikovin në mbrëmjen e 19 janarit në qendër të Ohrit.
“Në videon e shfaqur shihet një mashkull i cili i ngjan të akuzuarit Ilija Spaseski duke qëndruar përballë një personi që i ngjan viktimës Hristijan Pendikov. Personi që duket si Spaseski godet me dorën e djathtë në lartësinë e fytyrës. I njëjti person i jep një goditje tjetër në pjesën e pasme pranë qafës”, sqaroi prokurori.
Avokati i të akuzuarit Spaseski kërkoi nga gjykata që të mos pranohet shpjegimi i prokurorisë se klienti i tij ishte sulmuesi sepse nuk mund të konstatohet identiteti i dy personave tjerë në video incizim, transmeton Lideri.mk.
– Prokurori nuk ka treguar se personi që e ka rrahur Pendikovin ishte i pandehuri Spaseski. Pendikov në një intervistë për televizionin bullgar ka dhënë një deklaratë ndryshe nga ajo që shihet në video. Ai pretendon se është goditur me shkelma, por këtu shihet se është goditur një herë. Në mungesë të provave në bazë të të cilave do të mund të përcaktohet identiteti i dy personave të tjerë, gjykata nuk duhet ta pranojë deklaratën e prokurorit se sulmuesi është person që i ngjan Ilija Spaseskit”, deklaroi avokati mbrojtës.
Ilija Spaseski, njëri nga të akuzuarit për rrahjen e Hristijan Pendikovit, paraprakisht tha se nuk ndihet fajtor në rastin Pendikov në të cilin akuzohet se e ka rrahur atë, bashkë me një person tjetër.