Erkan Arifi për TV News: Sivjet hapet paralelja e mjekësisë në shkollën “Ismet Jashari” në Likovë(VIDEO)
Për herë të parë në historinë e Likovës, nxënësit që përfundojnë shkollimin fillor do të mund ti vazhdojnë mësimet për mjekësi në shkollën e mesme, dëshirë dhe objektiv i kahmotshëm i nxënësve, prindërve, arsimtarëve dhe drejtorit të shkollës.
Shkolla “Ismet Jashari” në Likovë nga viti i ri shkollor hap dyert për paralelen e mjekësisë- drejtimi për motër medicinale. Tejet i kënaqur për këtë arritje u shpreh të jetë Kryetari i Likovës, Erkan Arifi.
Në një prononcim për TV News, Arifi vlerësoi standardet dhe kushtet në të cilat punon shkolla.
Ai u shpreh tejet i ngazëllyer dhe krenar për hapin e sotëm për edukimin e brezave në fushën e mjekësisë, pasi ky hap ishte synim i kahmotshëm i tij dhe bashkpunëtorëve, veçanërisht Ministrisë së Arsimit me të cilën bashkpunuan ngushtë.
Punën që zhvillohet në Shkollën e Mesme “Ismet Jashari” Arifi e konsideron si tejet të mirë. Shkolla është e pajisur me mjete logjistike e konkretizimi; ka salla sportive, kabinete specifike për lëndë profesionale dhe është mbase shkolla e vetme në të cilën mësimi zhvillohet në një ndërrim të vetëm.
TV News ka intervistuar edhe drejtorin e shkollës, prof. Isni Aliji, i cili hapur shfaqi gëzimin për këtë arritje të rëndësishme për shkollën dhe sferën e edukimit e mjekësisë. Aliji e vlerësoi zhvillimin e sotëm si kontribut të nxënësve, prindërve, komunës dhe ministrisë.
Sipas drejtorit, mësimi me paralelet e reja të mjekësisë është i gatshëm të fillojë nga viti i ri shkollor sipas planifikimit që kanë bërë. Hapja e paraleles së mjekësisë sipas Alijit, do të sjellë shkollim me kushte më të mira dhe lehtësi më të mëdha për nxënësit, pasi do ta kenë më afër shkollën dhe nuk do të jetë e nevojshme të udhëtojnë në komuna të tjera për të zhvilluar mësimin.
Në një prononcim për TV News, prof. Haxhere Alili-Amidi shprehu gëzimin dhe mirënjohjen për të gjithë bashkëpunëtorët dhe kontributdhënësit për këtë arritje. Alili-Amidi u shpreh se kërkesa dhe vullneti ishte i kahmotshëm për hapjen e paraleles dhe është tejet e kënaqur për realizimin e saj. Ky zhvillim është shembull i bashkëpunimit dhe punës e përkushtimit ndërmjet disa niveleve e zingjirëve: nxënës, prindër, mësimdhënës, komunë dhe Ministria e Arsimit. Me bashkëpunim dhe përkushtim mundësohet që të bëhen punë të mira për qytetarët dhe shoqërinë. ( Vlora Zenuni -Televizioni NEWS)