Vëllezërit nga Drenica kujtojnë agjërimin në rini: Pështynim gjak, por ushtria jugosllave nuk mundi të na prishë agjërimin
“Lum ai i lumi, që agjeron Ramazanin”. Këto janë fjalët e para e të pakta që na i tha Selman Elshani nga fshati Gllobar i Drenasit.
Ai është më i moshuari në këtë fshat. Si 93-vjecar, tregon se ka agjëruar cdo vit për rreth 8 dekada.
Ishte vetëm 12 vjeç kur kishte agjeruar për herë të parë. Thotë se agjerimin nuk mundi t’ia prishë as ushtria jugosllave.
“Ma sevap që me agjeru nuk ka, sidomos në këtë kohë tash. Është lehtë të agjërohet tash Ramazani, as nuk e ndjen etjen e as urinë”, thotë ai.
Deri në moshën 90-vjecare ai ishte i rregullt edhe në xhami.
“Vëllau nuk e len asnjë vakt pa u falur këtu në xhami. Ky është më i ri. Unë s’po mundem më. Asnjë shokë se kam, krejt kanë vdekur. Unë më i vjetri jam”, tregon ai.
Gruan ia vranë forcat serbe në luftën e fundit në Kosovë.
“Ma kanë vrarë gruan, motrën. Ma kanë tha damarin e zemrës. Veç një motër e kemi pas, gjashtë vëllezër”, rrëfen 93-vjecari më lot në sy.
Tash jeton më vëllain e tij 76-vjeçar Sejdiun, i cili nuk mungon asnjëherë në xhami.
Ai thotë se tash është e lehtë të agjerohet Ramazani.
“Ne kemi shkuar sipas traditës, kur i kemi parë këta më të mëdhenj, kemi shkuar edhe ne në xhami. Përpara ka qenë më vështirë, më kujtohet kanë pështyrë edhe gjak vëllezërit e mi”, tregon ai.