Maqedoni

Hagë, nisi gjykimi kundër ish krerëve të UÇK-së

“E kuptoj, jam plotësisht i pafajshëm”, tha Hashim Thaçi, i akuzuar.

“Akuzën e kuptoj kështu siç është por nuk pajtohem me të pasi nuk mbaj asnjë përgjegjësi për të cilën flet aktakuza, jam tërësisht i pafajshëm”, deklaroi Jakup Krasniqi, i Akuzuar.

“Jam i pafajshëm me të gjitha pikat e aktakuzës”, tha Rexhep Selimi, i Akuzuar.

“E shpreh pakënaqësinë time për një vonesë dy vjet e gjysmë, megjithatë jam tërësisht i pafajshëm”, theksoi Kadri Veseli, i akuzuar.

Ish krerët e UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi u deklaruan të pafajshëm në nisjen e procesit gjyqësor ndaj tyre ku ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Prokuroria tha se UÇK-ja, përmes komunikatave dhe vendimeve të tjera, shënjestroi ata që i konsideronte kundërshtarë. Prokurori i Specializuar, Alex Whiting, tha se ky rast nuk është “gjykim i UÇK-së”, por vetëm ndaj katër të pandehurve

“Ata të katër pa asnjë dyshim ishin udhëheqësit parësor të UÇK-së dhe për këtë janë vlerësuar dhe nderohen, por kishte edhe një anë tjetër më të errët të udhëheqjes së tyre dhe kjo është objekti i gjykimit që po fillon sot. Prova do të tregojë se katër të akuzuarit në rolin e tyre si udhëheqës ta lartë në shtabin e përgjithshëm mbështetën dhe zbatuan një politikë e cila vinte në shënjestër ata persona të cilët konsideroheshin prej tyre si kundërshtarë, përfshirë ata që akuzoheshin si kolaboracionistë shpesh mbështetur në asgjë, pos lidhjeve me institucionet serbe si dhe personat e perceptuar si jo mbështetës të qëllimeve apo mjeteve të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së përkohshme të Kosovës”, tha Alex Whiting, Ushtrues i detyrës së kryeprokurorit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Në vazhdim të fjalës hyrëse të Prokurorisë së Specializuar në Hagë u përmendën rastet e ndalimit të individëve nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. “Anëtarët e UÇK-së u hoqën lirinë qindra individëve pa proces të rregullt gjyqësor. Ka të paktën 440 incidente sa i takon ndalimit të personave”, tha prokurori James Pace. “Të paktën 102 viktima nuk mbijetuan, por vdiqën mizorisht sepse konsideroheshin kundërshtarë”, tha ai, duke shtuar se krerët e UÇK-së akuzohen se janë përgjegjës për këto vrasje. Sipas tij, të paktën 20 persona janë ende të zhdukur. “Provat do të tregojnë se të akuzuarit janë përgjegjës për këto krime”, tha ai. Shumica e vendndalimeve ishin, sipas Prokurorisë, selitë rajonale të zonave të UÇK-së.

Pace tha se në Jabllanicë, të akuzuarit se “kanë vrarë të paktën tre persona” dhe një person ende konsiderohet i zhdukur. Ai tregoi edhe hartën e qendrave të dyshuara të ndalimit, të cilën mund ta gjen

Prokurori i specializuar, Alan Tieger, tha se përmes komunikatave të lëshuara, UÇK-ja synonte të paralajmëronte “kolaboracionistët” se do të vriteshin. Ai këtë e mbështeti edhe te një intervistë që Krasniqi kishte dhënë për Spiegel, ku kishte deklaruar se “kolaboracionistët janë paralajmëruar se do të vriten” nëse nuk ndryshojnë qëndrim. Sipas tij, Shtabi i Përgjithsëm kishte dhënë urdhër që të merreshin masa ndaj kujto që punonte kundër UÇK-së. Në këtë kuadër, ai përmendi disa qendra të pretenduara të ndalimit në Likoc e Drenoc. Sipas Tieger, emrat e disa personave që ishin ndaluar më 1998 në Drenoc dhe Likoc ishin shkruar “në bllok shënimet”. Ai tha se provat e Prokurorisë do të dëshmojnë se vendimet e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” po zbatoheshin.

Vetëm 3 kilometra larg ndërtesës ku po mbahet gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në Hagë shqiptarë nga Kosova dhe diaspora protestuan në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

“Pres një proces të drejtë kaq. Shpresoj se do të jetë një proces i drejtë dhe sa më shpejtë të përfundojë”, u shpreh një protestuese.

“Ne ishim viktimë kolektive e një shteti gjenocidial. Nuk po kërkojmë as më pak e as më shumë se sa drejtësi. Njëkohësisht nuk po kërkojmë që tu mohohet drejtësia viktimave të çfarëdo krimi të kryer gjatë dhe pas luftës për hesape personale. Kërkojmë që përgjegjësia mos tu faturohet martirëve, në mesin e tyre qindra fëmijë të pafajshëm, as dëshmorëve të cilët paguan me jetën e tyre”, tha një protestutese tjetër.

“Protesta ka qëllimin vetëm kërkim të drejtësisë. Ne duam drejtësi dhe gjykim fer të liderëve tonë të luftës dhe të paqes”, shtoi një protestues.

Aktakuza e Prokurorit të Specializuar në Hagë kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, përmban gjithsejtë dhjetë akuza. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura aty janë kryer në periudhën prej marsit të vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999, në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë./Alsat.mk