Maqedoni

Gjermania dhe Italia, vendet më atraktive për punonjësit e shëndetësisë që ikin nga Maqedonia e Veriut

Maqedonia e Veriut po përballet me mungesë të profileve të caktuara të punonjësve shëndetësorë. Më së shumti mungojnë infermierët, mjekët e përgjithshëm dhe mjekët specialistë. E për këtë është shkak ikja jashtë vendit e kuadrit mjekësorë, për paga më të larta dhe kushte më të mira pune, por edhe për pension më të mirë.

Dy vendet më të preferuara të kuadrit mjekësorë janë Gjermania dhe Italia.

Nga Sindikata e Pavarur e Shëndetësisë, Farmacisë dhe Mbrojtjes Sociale për MIA-n thonë se gjatë periudhës së pandemisë COVID-19 ka pasur një largim gradual të infermierëve nga vendi.

“Në periudhën e treguar nga sektori publik janë larguar rreth 70 infermierë, ndërsa nga sektori privat kanë dalë rreth 120 infermierë. Në uljen e numrit të infermierëve në vendin tonë kanë ndikuar edhe ndryshimet në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës, të cilat përjashtuan mundësinë e vazhdimit të marrëdhënies së punës pas 64 vitesh, me përjashtim të atyre punonjësve në veprimtari për të cilët Ligji për Mbrojtje Shëndetësore ofron mundësinë e zgjatjes sipas ndryshimeve ligjore. Pra, mbi këtë bazë këtë vit do të jemi pa rreth 80 infermierë që kanë ushtruar të drejtën e pensionit në përputhje me ligjin”, thonë nga Sindikata.

Ndërsa rreth vendeve në të cilat shkojnë më shpesh punonjësit e shëndetësisë, ata thonë se infermierët më shpesh shkojnë në Gjermani, Zvicër dhe Itali, së fundmi edhe në Kroaci.

“Ajo që mund të themi me siguri është se në vendet ku largohen infermierët ka paga më të larta, të cilat ne e dimë se janë më të rëndësishmet për punëtorin. Për kushtet e tjera të punës në vendet e tjera dhe realizimin e të drejtave të tjera nga marrëdhënia e punës nuk mund të jepnim mendim, sepse e njëjta mund të përshkruhet në mënyrë objektive vetëm nga përvoja e një punonjësi që është larguar në një vend tjetër”, shtojnë nga Sindikata.

Profesor dr. Goran Dimitrov, kryetar i Shoqatës së Mjekëve të Maqedonisë, thotë për MIA-n se fatkeqësisht nuk ka një shifër të saktë statistikore për largimin e mjekëve dhe infermierëve jashtë vendit.

“Por sipas disa informacioneve jozyrtare, rreth 200 mjekë largohen çdo vit nga vendi dhe rreth 150 mjekë dalin në pension ose disa prej tyre ndahen nga kjo jetë. Situata, për fatë të keq,është e ngjashme edhe me infermierët dhe personelin tjetër mjekësor. Qindra motra u larguan nga vendi për t’u punësuar jashtë vendit”, thekson Dimitrov.