69-vjeçari me vetëm 100 euro pension dënohet me 500 euro nga Gjykata
Merr vetëm 100 euro në muaj, e përpos shpenzimeve të tjera para i duhet t’i ndajë edhe për trajtimin e problemeve shëndetësore që i ka. 69-vjeçarit nga Dyzi i Podujevës, Hasan Bajoku, më 23 shkurt të këtij viti iu shtua edhe një obligim tjetër financiar ndaj shtetit. Ai u dënua me gjobë prej 500 euro nga Gjykata Themelore në Prishtinë për një armë ajrore që e mbante pa autorizim, e cila iu konfiskua në gusht të 2022-ës.Konfiskimi i armës erdhi pas një raportimit që ishte bërë në Policinë e Kosovës për një problem familjar që ai kishte. 69-vjeçari jeton vetëm me gruan e tij, përderisa tregon se të ardhura të tjera përpos 100 eurove të pensionit nuk ka. “Po nuk kam të ardhura, edhe dokumentin ua jap që e kam vendimin që një pension e kam, kush nuk më ndihmon. Qeta 100 euro i kam, veç me 100 euro” – shprehet ai teksa tregon se nuk ka as ku të ankohet për këtë problem të tijin.Bajoku ishte ftuar në gjykatë për rastin e tij, e aty ai thotë se e kishte njoftuar gjykatësin për gjendjen e tij. “I kam kallxu gjykatësit, e din mirë ai. I kam thanë nuk kam të ardhura, nuk kam kurrgjë hiç. Më veti a je në pensi, i thash po në pensi jam, a merr të ardhura të tjera, i thash jo” – shton Bajoku teksa tregon se ai gruaja e tij nuk punon. “Fëmijë nuk kam, se për qeta, me pas pas fëmijë ndryshe ish kanë, po nuk kam, as fëmijë. Edhe jam i sëmur prej zemre, jam prej unazave, këqyri dokumentet, fije-fije, unë nuk di kah me ia majtë” – shton tutje ai. Për trajtimin e këtyre problemeve që ai i ka, pensionisti tregon se barnat i duhet t’i marr me borxh.“Po lypi ndihma, po kush tybe të ndihmon, kush. Vështirë, vështirë. Është një barnatore në Podujevë, iu kam edhe borxh tash edhe herë mi merr, herë nuk mi merr (paret)” – thotë 69-vjeçari.
Tutje ai shton se nuk ka qenë në dijeni se për armë ajrore duhet të posedohet leje. Madje, Bajoku tregon se për vendimin e Gjykatës në Prishtinë është ankuar në Gjykatën e Apelit dhe është në pritje të vendimit. “Qenka e ndaluar me mbajt kësi armë e nuk e kam ditë unë që është e ndaluar, se është armë me ajër, as nuk e vret njeriun as sen hiç, sen mbi tokë nuk bënë, as nuk kërset” – u shpreh pensionisti nga Podujeva. Ai gjithashtu tregoi se lidhur me aktgjykimin e përpiluar nga Gjykata në Prishtinë është ankuar më 21 mars 2023 edhe në Gjykatë të Apelit.“Po qetash e kam dërgu, nuk e di çka bëhet më të, e kam dërgu që dy-tre ditë, e kam dërgu në gjykatë të apelit me këqyrë çka bëhet, po unë veç më këtë nuk kam me lanë, unë kam me shku edhe tek Avokati i Popullit edhe në Gjykatë Kushtetuese” – ka thënë Bajoku. Sipas aktgjykimit, vendimi për dënim me gjobë prej 500 euro është marr pasi janë vlerësuar edhe rrethanat rënduese dhe lehtësuese, të cilat ndikojnë në llojin dhe lartësinë e dënimit. Në aktgjykim është thënë se si rrethana lehtësuese janë gjetur pranimi i fajit nga ana e të akuzuarit, të cilin pranim është thënë se e ka bërë në mënyrë vullnetare, keqardhjen dhe pendimin që i njëjti e ka shfaqur në gjykatë dhe premtimin e tij se veprimet e tilla nuk do t’i përsërisë më. Tutje në aktgjykim thuhet edhe se si rrethanë lehtësuese gjykata mori për bazë edhe bashkëpunimin e të akuzuarit me organet përkatëse që nga fillimi i kësaj procedure penale ndaj tij, e po ashtu edhe moshën e tij.Po ashtu në aktgjykim është thënë se duke ju referuar rrethanave faktike të rastit, por edhe veprimeve të të akuzuarit, gjykata nuk gjeti ndonjë rrethanë veçanërisht rënduese. KALLXO.com gjatë ditës ka nisur pyetje edhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë lidhur me këtë rast, mirëpo deri më tani nuk është marr ndonjë përgjigje. Lidhur me dënimet për armëmbajtje pa leje, KALLXO.com në 2019 kishte publikuar një artikull ku flitej për dënimet që marrin qytetarët në krahasim me zyrtarët shtetëror për armëmbajtje. Artikulli tregon se si gjykatat e vendit tonë kishin shqiptuar dënime shumë më të ashpra për qytetarët e thjeshtë sesa për udhëheqësit e institucioneve publike, të cilat para përgjegjësisë personale duhet të kenë edhe përgjegjësi institucionale.