Maqedoni

Një tren transportues del nga binarët në Rramanli, Kumanovë nuk ka të lënduar

Një tren transportues ka dalë nga binarët në fshatin Rramanli të Kumanovës nuk ka të lënduar, kumtuan sot nga NP për Infrastrukturë Hekurudhore, Hekurudhat e Republikës së Maqedonisë së Veriut – Shkup.
Aksidenti ka ndodhur në orën 9:20 kur treni transportues i cili ka qarkulluar nga Trubareva drejt Kumanovës dhe ka transportuar gurë për nevojat e NP për Infrastrukturë Hekurudhore ka rrëshqitur dhe ka ndodhur havari në 14 vagonë nga gjithsej 20 vagonë. Nga ndërmarrja kumtuan se janë dëmtuar edhe binarët dhe se do të ketë ngecje në korridorin 10.

“Komisioni për ngjarje të jashtëzakonshme i cili përbëhet nga persona profesionistë të punësuar në SHA HM Transport dhe NP HM Infrastruktura ka dalë në vendin e ngjarjes që të bëjë ekspertizë dhe t’i zbulojë shkaqet e fatkeqësisë”, kumtuan autoritetet.

Nga Ndërmarrja Publike thonë se fillimisht do të pastrohen binarët nga vagonët që kanë rrëshqitur, ndërsa më pas ekipet profesionale do të bëjnë sanimin e pjesës së dëmtuar.

“Do të punohet me intensitet të përforcuar që të mundet sa më shpejtë, sërish të vihet komunikacioni në Korridorin 10, i cili është me rëndësi të madhe për komunikacionin hekurudhor në shtet”, theksojnë nga ndërmarrja.

Nga SPB Kumanovë thonë se tek ta ngjarja është denoncuar dhe se ekipi i tyre është duke bërë inspektimin e rastit.