Maqedoni

Gjykata e Shkupit dënoi drejtorët e “Magjar Telekomit” me nga tetë vite burg

Attila Sendrej, Rolf Plath dhe Zoltan Kisjuhas janë fajtorë në rastin Magyar Telecom, vendosi sot Gjykata Penale. Të gjithë u dënuan me nga tetë vjet burg, mësoi BIRN nga Gjykata Penale.

Të akuzuarit në shenjë solidariteti duhet t’i kthejnë buxhetit të Maqedonisë së Veriut një milion euro, gjegjësisht mbi 67 milionë denarë.

Sipas vendimit, ata kanë dëmtuar buxhetin dhe kanë lidhur kontrata fiktive për shërbime konsulence me një kompani konsulente qipriote, transmeton Lideri.mk.

Analiza që BIRN bëri dy vjet më parë, tregoi se pesë vjet me radhët rasti “Magyar Telecom” mbeti i paprekur në sirtarët e gjykatës. Kur filloi gjykimi në mungesë të Sendreit dhe të pandehurve të tjerë, gjysma e seancave të planifikuara u shtynë. Tre gjyqtarë dhe tre prokurorë janë ndërruar gjatë procesit gjyqësor.

Gjykimi mori hov pasi rasti u mor nga PSP dhe prokurorja Lile Stefanova.

Të pandehurit nuk janë të qasshëm per organet kompetente në Maqedoninë e Veriut, dhe shteti i ka kërkuar me urdhër, por nuk i ka siguruar kurrë. Rasti pas shpalljes së aktgjykimit shkon në Apel.

Por afera “Magyar Telecom” ka një tjetër “anë vendore të medaljes” që mbështetet në dëshminë e ish-oficerit të inteligjencës Slobodan Bogoevski para gjykatës së Nju Jorkut.

Ai pretendoi se tre politikanë në Maqedoninë e Veriut kanë marrë ryshfet në vlerë 7.5 milionë euro për të penguar liberalizimin e tregut të telekomunikacionit.

A kanë marë mito politikani maqedonas “V.B.” dhe “miqtë nga Tetova A.A. dhe M.Xh., siç shkruhet në dokumentin e lexuar nga prokurorja Lile Stefanova para gjykatës dhe Bogoevski i ka emërtuar në Nju Jork si Vlado Buçkovski, Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi, do të bëhet e ditur pasi të bëhet i plotëfuqishëm vendimi i sotëm për tre hungarezët e dënuar, që ende nuk është i plotfuqishëm.