Maqedoni

Alternativa për tubimin e BDI-së në Çair: Mbrëmë filloi fundi i pushtetit të BDI-së!

Partia Alternativa ka reaguar pas tubimit të djeshëm të BDI-së në Çair. Sipas tyre, ky tubim paraqet fundin e pushtetit të BDI-së, dhe se mbrëmë është dëshmuar sërish që Çairi është i çairasve dhe jo i BDI-së, të paktën jo i Artan Grubit.
“Përderisa shqiptarët mezi e lidhin muajin me muajin tjetër, ndërkohë që familje të tëra largohen çdo ditë nga vendi duke kërkuar rrugëdalje jashtë vendit, BDI-ja është e fokusuar ekskluzivisht në shtypjen e revoltës së brendshme partiake. Le ta parafrazojmë fjalën e urtë se ‘Fshati digjet, ndërsa Artani luan futboll e basketboll në kabinetet shtetërore dhe mbledh aktivistë partiakë në sallat sportive’. Me sa duket, frika e dikujt po mbulohet me tubime të dobëta aktivistëve të hutuar partiakë. Dhe, për këtë qëllim nuk kursehen resurse. Ata po e keqpërdorin çdo atom të pushtetit ekzekutiv”, qëndron në reagimin e Alternativës.
Tjetërsimi i tillë i BDI-së nga populli, sipas tyre, është motivimi më i fuqishëm që shqiptarët në zgjedhjet e ardhshme ta ndëshkojnë këtë model shpërdorues të pushtetit që i mban peng.
“AlternAtivA është e gatshme të jetë lehtësuese në procesin e konsolidimit dhe bashkimit të forcave shoqërore që janë të gatshme që përfundimisht të përballen me dinastinë e BDI-së. Siç ka filluar BDI-ja t’i nënvlerësojë shqiptarët, jemi të sigurt se në vend të “Ai po vjen” do të përfundojë me “Ai po ik”, thuhet në reagimin e Alternativës.