Ministri Mexhiti takon përfaqësuesen e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF), Patricia DiGiovanni
Ministri i shëndetsisë Fatmir Mexhiti gjatë ditës së sotme ka pritur në takim përfaqësuesen e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF), Patricia DiGiovanni, me të cilën diskutuan për aktivitetet e punës dhe fushat e mundshme të bashkëpunimit për vitin 2023. Në këtë drejtim, Ministria e Shëndetësisë dhe UNICEF do të nënshkruajnë programin vjetor, i hartuar për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore. shkruan Top24
“Në drejtim të rritjes së efektivitetit dhe efikasitetit të shërbimeve shëndetësore, Ministria e Shëndetësisë dhe UNICEF do të punojnë bashkarisht në zhvillimin dhe ngritjen e kapaciteteve të punonjësve shëndetësorë, analizat dhe këshillat mbi politikat për përmirësimin e shpërndarjes së financave publike dhe burimeve njerëzore për imunizimin, duke përfshirë një analizë funksionale e shërbimeve të vaksinimit, analiza kosto-përfitim i shërbimeve të vizitës në shtëpi në nivelin e kujdesit shëndetësor parësor, mbështetje e MSH-së dhe aktorëve të tjerë të sektorit shëndetësor për të adresuar tendencat e obezitetit tek fëmijët dhe adoleshentët, duke forcuar kapacitetet kombëtare dhe duke mbështetur rekomandimet në fushën e ndërhyrjes së hershme tek fëmijët, zhvillimi i fëmijërisë së hershme dhe shëndeti mendor bazuar në dëshmi nga disa analiza dhe studime.” thuhet në njoftimin e ministrisë.
Programi gjithashtu parashikon mbështetje të vazhdueshme në fushën e imunizimit – një fushatë masive komunikimi multimediale për t’i kujtuar publikut përparimet në shkencën e vaksinave dhe historinë e suksesit të vaksinave që është e nevojshme për të rikthyer besimin në sistemin shëndetësor dhe vaksinat./Top24