Fakulteti Filozofik i UT-së organizoi punëtori për shkrim-leximin mediatik
Në Universitetin e Tetovës, përkatësisht në Fakultetin Filozofik, më 16 mars 2023 u mbajt punëtoria, me temë “Shkrim-leximi mediatik”. Kjo punëtori është organizuar nga Instituti për studime të Komunikimit në kuadër të Projektit “Përdor Fakte”, projekt i financuar nga Ambasada e Britanisë në Shkup.
Organizatorët e këtij aktiviteti theksuan se, punëtoria ka për qëllim të ofrojë mbështetje për qytetarët, gazetarët dhe organizatat e shoqërisë civile për të rritur kuptimin e publikut për origjinën, motivet dhe ndikimin eb keqinformimit në shoqëri. Sipas tyre, në kohën e informimit masiv, vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet vërtetësisë së informimit objektiv duke u bazuar vetëm në burime të konfirmuara, si e vetmja mënyrë për t’i luftuar lajmet e rrejshme që janë shndërruar në sfidën tonë të përbashkët.
Në punëtorinë e sipërpërmendur morën pjesë studentët e programit studimor të Psikologjisë, të cilët patën mundësi të diskutojnë rreth teknikave për të detektuar lajmet e rrejshme. Punëtoria u realizua nga Prof. Dr. Eleonora Serafimoska, e cila shprehu konsideratën e saj për pjesëmarrjen aktive të studentëve dhe qëndrimet e tyre pozitive ndaj punëtorisë, sikundër i falënderoi drejtuesit e Fakultetit Filozofik për angazhimin e tyre në organizimin e kësaj veprimtarie me rëndësi. Sipas studimeve të bëra për këtë qëllim, rezulton se mediet, sidomos ato të reja dhe rrjetet sociale, paraqesin “mundësi” për ata që tentojnë të manipulojnë me të vërtetën. Ndaj për pasojë, këto media po ndryshojnë edhe mënyrën e komunikimit, njëherazi duke i defaktorizuar mediet tradicionale.