Editorial: A do të mbahet mend Krenar Lloga si ministër që e solli “Doruntinën nga Budapesti”
Shkup, 11 Mars– Ministria e Drejtësisë po përgadit letër të re për ekstradimin e ish kryeministrit Nikolla Gruevski. Këtë njoftim e bëri ministri Krenar Lloga në TV21.
Njoftime të tilla ka pasur edhe në të kaluarën nga ministra të drejtësisë, që kur ish kryeministri autoritar u arratis në Hungari, në momentin kur i ngushtohej rrethi dhe pritej të përfundojë në burg.
Mirëpo paralajmërimi i Llogës është shumë më konkret dhe më serioz në krahasim me paralajmërimet e bëra nga paraardhësit e tij, që deri tani nuk ia prishën Gruevskit komoditetin katërvjeçar në Budapest.
Lloga paralajmëroi se kërkesa e re për ekstradim të Gruevskit do të bëhet në bazë të rasteve tjera ku ai dyshohet. Kjo i jep një seriozitet të shtuar dhe e bën të dallojë nga paralajmërimet e deritanishme.
Lloga madje ka shkuar një hap më larg, duke treguar edhe qelitë ku do të vuajë burgun Gruevski, me çrast përmendi qelitë për të ashtuquajturat Raste të Hagës, në burgun e Shutkës.
Lloga sqaroi se në arsyetim për ekstradim do të shkruhet se dënimin do ta vuajë në qelitë e Hagës, që plotësojnë kushtet, pasi azilin e ka fituar me arsyetimin se Maqedonia e Veriut nuk ka kushte të mira në burgje për atë kategori të dënuarish.
Edhe arsyetimi politik është mjaft i bazuar.
“Gruevizmi nuk do të ikë nga Maqedonia e Veriut derisa ky person dhe personat përrreth tij dhe kjo frymë nuk merr dënimin e merituar. Këto ditë, po pregatisim një letër kërkesë për ekstradimin e zotërisë në fjalë, për 9 vepra të tjera penale, për të cilat ai akuzohet dhe ka fletëarrest ndërkombëtar. Në letër e sipër kam dhënë sugjerime që të shkruhet se Maqedonia e Veriut i plotëson kushtet për kategorinë e një personi si Gruevski sepse vete Gruevski i ka ndërtuar edhe qelitë për paraburgim edhe qelitë në burgje, të ashtuquajtura qelitë e Hagës të cilat i plotësojnë të gjitha standardet dhe besoj që me këto dëshmi, se ne i plotësojmë standardet për trajtimin e tij si i bugosur i veçantë, besoj që edhe të ekstradohet nga Hungaria”, tha ministri Lloga.
Sa do të realizohet ky paralajmërim mbetet të shohim, mirëpo serioziteti me të cilin ministri i është qasur këtij rasti gjithsesi që meriton përkrahje, sepse fenomeni i “Gruevskit” akoma është barrë që rëndon mbi proceset e rëndësishme në Maqedoninë e Veriut.
Kurse ministri Lloga në një rast të tillë do të mbahet mend në histori si ministër që e solli “Doruntinën nga Budapesti” dhe e vendosi aty ku e ka vendin. /Lideri.mk