Kolumna

Recetë për një sallatë të shijshme maqedono-shqiptare

Nga Mentor Nazarko

Skena politike shqiptare në Maqedoni është në trysninë e zhvillimeve cilësore që mund ta ndryshojnë jo vetëm statuskuonë elektorale të saj. Nga njëra anë, Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit, dikur udhëhequr nga Zijadin Sela, hyn në qeveri duke sjellë individë me cilësi të spikatura në role ekzekutive, pas eksperiencës agresive në opozitë,me një riorientim të ri kah Shqipëria (jo veç Kosova). BDI e kryesenjorit Ali Ahmeti, po ndihet e kërcënuar nga lufta e brendshme e ish senjor-ve të saj -Musa Xhaferri, e Izet Mexhiti, luftë që mund ta dobësojë të paktën në Shkup e Çair. Besa e Bilal Kasamit, që kontrollon Tetovën, komunën më të madhe, sheh sesi flamuri i i opozitës i mbetet vetëm asaj tek shqiptarët, dicka që mund ta favorizojë elektoralisht në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Partia më e vogël Alternativa që doli prej qeverisë, në përpjekje për të mbajtur të ndezur flakën e protagonizmit shqiptarocentrik, hodhi tezën e Asosacionit të komunave shqiptare, si refleks i kërkesës serbe për Kosovën, por nuk dihet sa flaka do të mbetet e ndezur.

Në fakt ky është thjesht një lexim fuqie elektorale dhe jo i cilësisë së vërtetë programore të partive shqiptare në skenën politike maqedonase, relativisht të populluar. Aleanca për Shqiptarët i ka ofruar qeverisë imazhin e mirë të pakorruptuar të kreut të saj Taravari si kryekomunar i Gostivarit, ekspertizën e Hazir Aliut, etj, dicka që mund të jetë e shëndetshme krahasuar me bjerrjen e madhe morale të BDI në pushtet prej shumë vitesh. Ama pritet të shihet a do të mbetet programor ky afrim, dhe cfarë axhende në favor të shqiptarëve dhe shoqërisë maqedonase sjell ky kapërcim i ylberit për ASH. Pa hyrë në analizën programore të partive të tjera, po duket qartë se kjo hyrje e ASH në qeveri e rrit ndjeshëm përfaqësimin e shqiptarëve në poste ekzekutive ndoshta në më shumë se 50%. Mirëpo a sjell skenarë gjithsesi të volitshëm për interesat e shqiptarëve në afat të mesëm- kjo rritje e përfaqësimit, bashkë me kërkesën për kryeministër shqiptar 3 muajt e fundit? VMRO-DPMNE, e Mickovskit, prapa të cilit ndihet hija e fuqishme e Gruevskit që poston përditë në facebook qëndrime të forta apo glorifikuese të veprave të veta ekzekutive, po rritet ndjeshëm. Gruevski I falur penalisht, mbrapa apo para Mickovskit nesër në qeveri, mund të sjellë dhe front panmaqedonas, ashtu si dhe interesa ruse dhe serbe. Skenari i rritjes së përfaqësimit ekzekutiv shqiptar, ndërlidhur me krizën kushtetuese prej bullgarëve ngjan se e rrit frikshëm VMRO-në, madje dhe Levicën haptazi proruse. Ndërsa LSDM, duket qartë se ka krizë lidershipi, pra prirja e saj elektorale duket rënëse.

Po mundohemi të kuptojmë ndikimin e ngjarjeve të reja në avancimin e statusit të shqiptarëve dhe të vetë Maqedonisë. Me statuskuonë aktuale – sa për shembull-faktori kryesor shqiptar, BDI me qendrimin e gjatë në pushtet, nuk ka prodhuar dot as 17 kilometra autostradë drejt Kosovës, as universitete elitare megjithë shtimin numerik të tyre, as emancipim cilësor shoqëror, ndërsa figurat religjioze islame kanë ndikim të fuqishëm dhe jo rrallë prapambetës.
Ndaj duhen kqyrur disa drejtime të paeksploruara, që e prishin statuskuonë dhe mund të riorientojnë elektoralisht, por jo vetëm elektoralisht prirjet e shoqërisë maqedonase.