Si raportuan mediat mbi idenë për asociacionin e komunave shqiptare në Maqedoninë e Veriut?
Shkruan: SEFER TAHIRI
Në Maqedoninë e Veriut, që nga vitet 90-ta, pas pavarësimit të vendit nga ish federata jugosllave, gjithmonë kur është trajtuar ndonjë çështje që ndërlidhet me ripërkufizimin apo riorganizimin e shtetit, në plan të parë në media dalin narrativët etnocentrikë.
Kështu ka ndodhur në vitin 1991, kur debatohej mbi organizimin e shtetit të ri të pavarur dhe statusin juridik – kushtetues të shqiptarëve. Ngjashëm ka ndodhur edhe në vitin 2004 kur u bë riorganizimi territorial i vendit dhe funksionimi i shtetit me 80 komuna të reja, në vend të 123 komunave që ekzistonin më parë.
Konteksti ndëretnik edhe më tej vazhdon të jetë aktual e interesant, gjithmonë kur shfaqen ide politike për ndryshimin e konceptit të organizimit të shtetit, në nivel komunal apo qendror. Nuk ndodhi ndryshe as pas promovimit të idesë së sekretarit të përgjithshëm të partisë Alternativa, Zeqirija Ibrahimi, përmes së cilës më 25 shkurt të këtij viti, kërkoi formimin e asociacionit të komunave shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ide e cila, në dimensionin e aktualitetit politik rajonal, përputhej me një prej temave më aktuale në negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit.
Në këtë analizë do të shohim më në hollësi se si raportoi dhe e interpretoi media në gjuhën shqipe dhe maqedonase idenë e sekretarit të përgjithshëm të Alternativës, Ibrahimi për themelimin e asociacionit të komunave shqiptare, që duket i njëjtë me modelin e propozuar të asociacionit të komunave serbe në Kosovë.
A është ideja e asociacionit të komunave shqiptare në Maqedoninë e Veriut autentike dhe autonome, siç është motoja e Alternativës, apo e huazuar nga ajo që propozohet për Kosovën? Çfarë nënkupton ky asociacion sipas narrativëve që u plasuan në media: decentralizim më të madh apo një hap drejt ridefinimit, proces që përfundon me federalizimin e shtetit? Cila ishte dioptria e politikës shqiptare dhe maqedonase, e reflektuar në media mbi këtë propozim?
Mediat në gjuhën shqipe: Raportim “gjerë e gjatë” mbi kundërshtimin e idesë për Asociacion
Mediat në gjuhën shqipe i kanë dhënë hapësirë të konsiderueshme idesë për reciprocitet “asociacional” në Maqedoninë e Veriut. Sipas tyre, partia Alternativa kërkon asociacion të komunave shqiptare, ashtu siç kërkojnë serbët në Kosovë, por pjesa më e madhe e tyre nuk kanë shpjeguar se qëndrimi nuk ka qenë partiak, por personal i sekretarit të përgjithshëm të Alternativës, Zeqirija Ibrahimi.
Vetë Ibrahimi, dy ditë pas kumtimit, për TV 21 bëri të ditur se qëndrimin e ka bërë nga pozita e sekretarit të përgjithshëm të partisë, i shtyrë nga bindjet e tij politike dhe intelektuale. “Qëndrimi është i imi personal dhe jo i organeve të partisë. Megjithatë, unë jam sekretar i përgjithshëm i Alternativës dhe jo vetëm një individ në parti”, shpjegoi Ibrahimi.
Përgjithësisht, mediat në mënyrë korrekte dhe objektive e kanë përcjellë qëndrimin e Ibrahimit, i cili theksoi: “Në kohën kur Kosova gjendet para marrëveshjes finale për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, dhe kur secili diplomat perëndimor që shkon në Prishtinë e përsërit refrenin ‘të bëhet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë’, pyetja që duhet të shtrohet është se pse partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ato që kanë komuna (Bashkimi Demokratik për Integrim, Aleanca për Shqiptarët dhe BESA), nuk e ngrenë një iniciativë për themelimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare në Maqedoninë e Veriut, po me ato kompetenca që bashkësia ndërkombëtare kërkon t’i ketë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë”.
Mediat i kanë kushtuar një hapësirë të konsiderueshme qëndrimit kundërshtues të partisë Aleanca për Shqiptarët, sipas së cilës “propozimi është joserioz, sepse shqiptarët janë 1/3 e popullsisë në Maqedoninë e Veriut dhe nuk mund të krahasohen me pakicën serbe”. Po ashtu, një pjesë e madhe e mediave kanë transmetuar qëndrimin e Institutit “Arbën Xhaferri” që funksionon në kuadër të Aleancës për Shqiptarët, sipas të cilit propozimi për asociacion është në dukje është i mirë, por në thelb i dëmshëm për shqiptarët.
Gjithashtu, mediat shqipe kanë përcjellë qëndrimin e Bashkimit Demokratik për Integrim, sipas të cilit ideja është patetike, antiamerikane dhe antievropiane, si dhe qëndrimin e Lidhjes Socialdemokrate në pushtet, e cila konsideron se propozimi bie ndesh me Kushtetutën e vendit, përkatësisht me Marrëveshjen e Ohrit.
Portali “Aktuale” ka transmetuar deklaratën e kreut të VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, të cilën e interpretoi si kërcënim ndaj politikanëve të Alternativës. Mickoski ka deklaruar: “Unë i paralajmëroj politikanët në Maqedoni të kenë kujdes, të mos i ndezin tensionet ndëretnike, ngase Maqedonia është shtet shumë – etnik, dhe me sjellje të këtillë të papërgjegjshme mund vetëm t’i ndezin këto tensione”.
Portali “Ina-online” ka transmetuar në mënyrë korrekte deklaratën e kryetarit të partisë joparlamentare politike Koncepti Maqedonas, Petar Bogojevski, i cili në rrjetin social Fejsbuk ka shkruar “Tregojini Afrim Gashit se Maqedonia nuk është Serbi“. Por, portali nuk ka kontekstualizuar dhe shpjeguar deklaratën e Bogojevskit, se vallë me të ai ka bërë paralele me Kosovën, duke e konsideruar ende pjesë të Serbisë!
Portali “Zhurnal” ka transmetuar deklaratën e partisë Lidhja Demokratike të Pavle Trajanovit, i cili ka deklaruar se formimi i Bashkësisë së Komunave Shqiptare në Maqedoninë e Veriut, sipas idesë për Bashkësinë e Komunave Serbe në Kosovë, për çka angazhohet partia Alternativa, do të thotë federalizim i Maqedonisë së Veriut. Ky portal transmeton deklaratën e kësaj partie të vogël, sipas së cilës “Kjo është retorikë nacionaliste dhe kërcënim serioz për marrëdhëniet ndëretnike në vend dhe mbulim i krimit, me çka në mënyrë të drejtpërdrejtë rrezikohet perspektiva evrointegruese në dobi të Moskës”.
Argumente kundër asociacionit në mediat në gjuhën shqipe: Model serb apo i ndërkombëtarëve?
Propozimi është parë me dioptri të ndryshme nga mediat shqipe. Përderisa TV 21 ka transmetuar se Alternativa kërkon “Asociacion të Komunave Shqiptare”/ Njëjtë si modeli i bashkësisë ndërkombëtare që kërkon në Kosovë“, portali “Koha” nga Kosova transmetoi se “Alternativa në Maqedoni propozon Asociacion siç do Serbia në Kosovë“, ndërsa portali “Bota Sot” njoftoi se “Njësoj si serbët në Kosovë, kërkohet Asociacion me shumicë shqiptare në Maqedoninë e Veriut“.
Portali i të përditshmes “Koha” në Maqedoninë e Veriut, edhe pse në mënyrë korrekte dhe të balancuar transmeton propozimin e Ibrahimit, por edhe kundërshtimin e ashpër nga lideri i VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickoski, si dhe deklaratën mbështetëse nga Izet Mexhiti (siç e quan lideri i të ashtuquajturve “Grupi i Zjarrit”) e në fund edhe qëndrimin kundërshtues të analistit Sefer Selimi, vendos titullin bombastik “ASOCIACIONI! Ide e rrezikshme për një popull shtetformues“. Ky titull, siç mund të shihet nga analiza tekstuale e shkrimit gazetaresk, nuk është tërësisht në përputhje me përmbajtjen e tij.
Portali “Zhurnal”, në komentin me titull “Ideja e Alternatives, e mirë apo e dëmshme për shqiptarët?“, edhe pse në titull shtron dilemën, në tekst konkludon se ideja nuk është e favorshme. Ky portal interpretonte se propozimi vjen nga një parti, e cila herë është opozitare e herë në pushtet, varësisht disponimit të partive në pushtet.
“Kur nga parti të vogla, burojnë ide të mëdha kuptohet qartë se është për të marrë vëmendje, sepse janë në gjendje depresive si parti. Kjo ide vjen në kohën kur faktori ndërkombëtar po bën presion për formimin e Asociacionit të Pakicës Serbe në Kosovë. Dhe, nga këtu kuptohet shkurtpamësia e Alternatives që dëshiron të barazohet për kah idetë dhe kërkesat me minoritetet e shteteve tjera. Kjo ide e dëmton faktorin shqiptar në Maqedoninë e Veriut, sepse shqiptarët këtu janë shtet – formues dhe pa shqiptarët nuk ka Qeveri. Ndërkaq, në Kosovë aktualisht Qeveria Kurti nuk është e varur prej serbëve, pasi ata gëzojnë të drejta të plota, pasi shteti i Kosovës është demokratik dhe shumë – etnik”, komentoi portali “Zhurnal”.
Ibrahimi rishpjegon idenë e tij: Refuzim pa analizë të mirëfilltë
Pas të gjitha komenteve dhe reagimeve ndaj propozimit, autori i tij, Zeqirija Ibrahimi në një shkrim shpjegues me titullin Asociacionet e Asociacionit në revistën “Shenja”, u shpreh: “Java që shkoi kaloi nën debatin e ngritur për temën e Asociacionit të Komunave Shqiptare. Që nga komentet infantile (“pse na barazoni me serbët që janë 4%”), te ato patetike të BDI-së (“Marrëveshja e Ohrit e ka mbyll kornizën e të drejtave etnike”), ato frustruese të ASH-së (“ju përzunë nga qeveria dhe jeni idhnu”), e deri te ato në panik të LSDM-së, VMRO-së e të Levicës (“u zgjua radikalizmi shqiptar”), përfshirë edhe ndonjë deputet parashutist shqiptar, që injorancën e vetëbesimin e ka në proporcion të drejtë, vërtet pati pak kthjelltësi për ta menduar këtë temë. Prandaj, me përjashtime që meritojnë respekt, si analiza e diplomatit Arsim Zekolli, opinioni te ne u mbërthye nga ideja e refuzimit gati pa e lexuar mirë atë”.
Narrativi i parë i mediave maqedonase: Ide e “importuar” nga Kosova
Mediat në gjuhën maqedonase e kanë interpretuar propozimin e Ibrahimit si një ide e instaluar nga Kosova, si pasojë e negociatave midis Prishtinës dhe Beogradit për Asociacionin Serb, por e cila në të vërtetë shpërfaq ambiciet e padeklaruara apo të fshehta politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, e që cakun e kanë federalizimin e vendit.
„Dojçe Vele“ në gjuhën maqedonase, lidhur me propozimin për asociacion të komunave shqiptare, e publikoi shkrimin e gazetares Katerina Bllazhevska me titull “Instalim i papranueshëm i një problemi të huaj në tokën maqedonase“. Pyetjes se si një pikë e rëndësishme në bisedimet midis Beogradit dhe Prishtinës u shndërrua në ‘temë maqedonase’, gazetarja i përgjigjet duke shkruar se “Përfshirja e Republikës së Maqedonisë së Veriut në (mos) zgjidhjen e çështjeve që i prekin ekskluzivisht raportet midis Beogradit dhe Prishtinës, publikisht filloi që para dy javëve, kur Elvis Hoxha, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, paralajmëroi (në rrjetin social Fejsbuk v.j) se nëse faktori ndërkombëtar këmbëngul për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë, kjo sipas parimit të efektit domino do të nxisë kërkesa të ngjashme edhe në Maqedoni“.
Radio Evropa e Lirë në gjuhën maqedonase raportoi me titullin “Politikanizëm dhe mosnjohje e problemit kosovar – serb“, ndërsa në raport thuhet se propozimi i Alternativës bëhet në momentin kur kërkohet zgjidhje paqësore midis Kosovës dhe Serbisë. “Për Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe, marrëveshja u arrit në vitin 2013, ndërsa në vitin 2015 u arritën parimet, mbi të cilat do të duhej të formohej. Marrëveshja përbëhet nga 22 pika, në të cilat saktësohet kuadri ligjor, qëllimet, struktura organizative, raporti me pushtetin qendror, buxheti dhe mbështetja”, raportoi Evropa e Lirë në maqedonisht. Siç raportoi kjo redaksi, në dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese në Kosovë përcaktoi se parimet e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, nuk janë plotësisht të harmonizuara me frymën e Kushtetutës, konkretisht me nenin 3 për “barazi para ligjit” dhe kreun “Të drejtat dhe liritë themelore” dhe kreun tjetër “Të drejtat e bashkësive dhe anëtarëve të tyre”.
Nga ana tjetër, Televizioni 24 raportoi me shkrimin me titull: “Gashi mori ‘dysh’ nga të gjithë për ‘Bashkësinë e Komunave Shqiptare“. Mirëpo, në këtë shkrim, qëndrimi kundërshtues nga Lëvizja Besa transmetohet duke raportuar me formulim jokonkret “thonë nga Besa”, pa shpjeguar se bëhet fjalë për qëndrim zyrtar të partisë apo qëndrim nga ndonjë përfaqësues anonim i kësaj partie. Po ashtu, edhe pse në titull thuhet se propozimi u kundërshtua nga të gjithë, në raport përmendet se mbështetje këtij propozimi i ka dhënë Izet Mexhiti nga “Grupi i Zjarrit”.
Narrativi i dytë i mediave maqedonase: Bashkimi i komunave federalizon shtetin
Portali Plusinfo, lidhur me këtë temë botoi shkrimin me titull: “Alternativa vetëm e pëshpëriti atë që flitet zëshëm në çajtoret: Bashkësia e komunave shqiptare do të jetë temë kryesore në fushatën parazgjedhore“. Plusinfo raportoi se “siç shpjegojnë ekspertët, propozimi i këtillë etnonacionalist është vetëm fillim i asaj që një ditë do të paraqes qëllim kryesor i të gjitha partive politike shqiptare në vend – federalizimi i shtetit. Ky portal përcjell qëndrimin e analistit Sinisha Pekevski, i cili thotë “Frikësohem nga kjo që e them, por vendi përfundimisht afrohet kah federalizimi. Dhe efekti përfundimtar do të jetë kur disa komuna nuk do ta konsiderojnë veten pjesë e Maqedonisë dhe atje do të qeverisin ligje tjera, institucione tjera”.
Por, krahas këtij qëndrimi, Plusinfo ofron edhe qëndrimin balancues, të cilin e kumton eksperti i ekonomisë, Xhevdet Hajredini. Sipas tij, bëhet fjalë për alarm të rremë dhe populizëm të pastër. “Asnjë shqiptar nuk do t’i dëgjojë partitë shqiptare në Maqedoni dhe nuk do të bëjë asgjë në dëm të shtetit. Momentalisht nuk ekziston kurrfarë rreziku nga formimi i Bashkësisë së Komunave Shqiptare në vend. Absolutisht nuk mund të bëhet paralele midis asaj që ndodh në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut”, përcjell Plusinfo deklaratën e Hajredinit.
Ndërkohë portali “Skopje1”, publikoi qëndrimin e profesores Biljana Vankovska në Fejsbuk. Sipas saj “Problemi nuk është te Alternativa, sepse Aleanca e Selës këtë e kërkonte që para disa viteve, ndërsa tani këtë Izet Mexhiti edhe publikisht e kërkon, (Nëse 3 për qind e serbëve mund ta fitojnë këtë, pse 30 për qind e shqiptarëve të mos e kenë në Maqedoni). Asgjë nuk është e rastësishme – konsociacioni shpie drejt federalizimit”. Vankovska, për shembull, që para 15 viteve ka shkruar kolumnën me titull “Maqedonia është federatë, por s’ka kush i tregojë“.
Nga ana tjetër, në shkrimin e portalit “Lokalno.mk” me titull “Propozimi për ‘Bashkësinë e Komunave Shqiptare’: Linja në Grupçin, Strugë dhe Dibër nuk është linjë që ndan dy territore”, citohet ish ministri i Drejtësisë, Vllado Popovski, i cili është njëri ndër tre hartuesit e Marrëveshjes së Ohrit. Në deklaratën e transmetuar, Popovski thotë se “Ideja e tanishme do të thotë se maqedonasit do të kenë komunat e tyre, shqiptarët të tyret, ndërsa midis tyre ekziston kufiri, i cili nuk duhet të vendoset me gardianë. Formimi i komunave të veçanta shqiptare do të thotë territorializim i Maqedonisë dhe nëse fillon, do të thotë fillim i çrregullimeve”. Popovski shtron pyetjen: Shqiptarët e komunave, ku janë pakicë a do të kalojnë në territorin e Bashkësisë së Komunave? Ai më tej thekson se “Ideja është armiqësore ndaj Maqedonisë dhe vështirë mund të pranohet nga bashkësia ndërkombëtare. Nëse pranohet, do të thotë luftë”. Portali në shqip Lideri e ka transmetuar deklaratën e Popovskit me titullin “Profesori maqedonas Vllado Popovski: Asociacioni i komunave do të thotë luftë!“.
Përfundime
Ideja për formimin e asociacionit të komunave shqiptare në Maqedoninë e Veriut rindezi tonet etnonacionaliste, që shfaqen gjithmonë në hapësirën publike në vend kur prezantohen propozime të tilla të reja ideopolitike.
Kjo ide, ndoshta më shumë, për shkak të prapashtesës, ka shfaqur në skenën mediatike në gjuhën maqedonase narrativin tashmë të njohur dhe madje të zakonshëm, që çdo ide për riorganizim, qoftë edhe në nivel lokal, interpretohet si ide që është kundër Marrëveshjes së Ohrit apo për dezintegrimin, përkatësisht federalizimin e shtetit.
Kjo logjikë e kundërshtimit të kësaj ideje, e cila ndoshta burimin e ka tek ridefinimi i promovuar nga Lëvizja BESA, njëri ndër promotorët dhe drejtuesit e së cilës ishte pikërisht Zeqirija Ibrahimi para ndarjes së “Alternativës” nga kjo parti, u vërejt në deklarimet e politikanëve, qoftë të kampit majtist ose djathtist, qoftë shqiptar ose maqedonas, por u vërejt edhe në debatet televizive mbi këtë çështje në televizionet Klan Maqedoni dhe në Telma. Në vijë të këtij narrativi, u transmetuan edhe zëra që shkojnë përtej normalitetit antagonist, duke konsideruar se, me idenë e këtillë, komunat me shumicë shqiptare nuk do të ndjehen pjesë e shtetit apo se do të refuzojnë ligjet dhe institucionet e Maqedonisë së Veriut, ose se kjo ide shpie në ndarje të shtetit dhe luftë.
Gjithsesi se ky dimension i mungon interpretimit mediatik në gjuhën shqipe, pasi hapësira informative shqipfolëse më shumë u fokusua tek ndikimi i idesë ndaj pozitës së shqiptarëve, duke vënë paralele midis statusit të pakicës serbe në Kosovë dhe të bashkësisë etnike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Në funksion të kundërvënies ndaj idesë, mediat shqipe kanë transmetuar edhe zëra margjinalë të partive më të vogla maqedonase të Pavle Trajanovit ose Petar Bogojevskit, megjithëse, në mediat në të dy gjuhët, u evidentua mbështetja që iu dha idesë nga “Grupi i Zjarrit” i BDI – së.
Mediat, qoftë shqipe apo maqedonase, u kanë dhënë hapësirë të madhe qëndrimeve kundërshtuese dhe në to, sidomos në titujt e portaleve ose televizioneve, është vërejtur qasja, e cila jo vetëm që minimizon idenë e këtij asociacioni, por edhe e shpall të importuar nga Kosova, ide që ndjek modelin serb të Kosovës apo të bashkësisë ndërkombëtare mbi formimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë.
(Autori është profesor universitar në lëmine e gazetarisë dhe komunikimeve publike)
—-
Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut