Maqedoni

Komuna e Strugës edhe sivjet e “uritur”, 38 mijë euro për dreka e darka

E përderisa autoritetet lokale në Strugë çdo vit shpenzojnë shuma të mëdha të parave publike për dreka dhe darka nëpër restorante, ministri i vetëqeverisjes lokale Risto Penov thotë se nuk di asgjë për këtë. Thotë, do ta kontrollojë këtë rast. Vetëm vitin e kaluar ai kishte planifikuar gati 80 mijë euro për dhurata, dreka dhe darka për kryetarin Ramiz Merko, këshillin dhe administratën lokale, ndërsa 48 mijë euro ishin ekskluzivisht për Merkon.

“Unë nuk i kam detajisht këto të dhëna. Por ju jeni votues. Por a janë ato shpenzime të tepërta? Nëse është ashtu… Por nuk kam… Nuk jeni të interesuar t’i kontrolloni këto informacione? Jo, jo, ju i keni si qytetarë, si banorë, përmes përfaqësuesve tuaj në këshill keni instrumente. Nëse dyshoni për diçka, ka institucione ku duhet të reagoni. Qeveria nuk është për këtë… Epo, ju jeni ministër. Më lejoni ta kontrolloj këtë të dhënë, dhe nëse është ashtu atëherë nuk është mirë”, tha Risto Penov, Ministër i Vetëqeverisjes lokale.

Megjithatë, Penov thotë se nuk kanë mekanizëm si t’i sanksionojnë kryetarët e komunave dhe pushtetin lokal që shpenzojnë në mënyrë të paarsyeshme.

“Ne nuk jemi kompetentë për kontroll, madje as juridikisht nuk ka mbështetje që Qeveria të kontrollojë komunat sepse kemi decentralizim thelbësor dhe të plotë”, shtoi Risto Penov, Ministër i Vetëqeverisjes lokale.

Për katër vite Merko për reprezentime shpenzoi gati 140 mijë euro. Shuma totale këtë vit është rreth 38,000.

Ndryshe, borxhi i komunës së Strugës, siç është njoftuar së fundmi nga Aleanca për Shqiptarët, është pak më shumë se 3 milionë euro. Shuma të mëdha për qira mujore paguajnë edhe ndërmarrjet publike “Ujësjellësi dhe “Eko Struga”, të cilat janë përgjegjëse për vend parkimet. Komuna ka edhe xhirollogari të bllokuar, por pavarësisht kësaj, në vitin 2018 bleu makina të reja, përfshirë një Audi A6 luksoz për kryetarin e komunës. Agjencia kundër korrupsionit ka hapur lëndë, por Prokuroria për Krimin e Organizuar ka vlerësuar se çështja nuk ka elemente të veprës penale./Alsat.mk