Kosovë

Rifat Jashari në 25 vjetorin e Epopesë: Këtë ushtri e kemi pritur ‘dem baba dem’

Krerë të shtetit nderojnë figurën e Adem Jasharit në përvjetorin e Epopesë (VIDEO)

05.03.2023 07:45

13:44 – Sveçla: Tre brezat e flijuar të familjes Jashari janë shtylla më e fuqishme e lirisë sonë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë një postim në Facebook me rastin e 25 vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

Ai është shprehur se tre brezat e flijuar të familjes Jashari janë shtylla më e fuqishme e lirisë sonë.

“Në mëngjesin e 5 marsit të vitit 1998 familja e lavdishme Jashari në Prekaz u rrethua nga forca të shumta ushtarake të ushtrisë serbe. Kjo nuk ishte hera e parë e rrethimit të tyre. Angazhimi i tyre ishte fakt i papranueshëm për agresorin serb. Por kjo ishte hera e fundit, sepse këtu nisi kthesa historike e luftës sonë që Serbia gjenocidale nuk e pati menduar. Nisi lufta e madhe për çlirim”, tha Sveçla.

Ministri Sveçla tha se rezistenca dhe sakrifica e tyre për liri janë, siç u shpreh ai, udhërrëfyesi më i qartë për ne në punën për Republikën.

“Gra, burra e fëmijë të Jasharajve në përballje të pabarabartë e nën rrethim nuk u dorëzuan për tre ditë me radhë. Serbia me mjetet e saj të rënda të luftës shkoi kundër synimit të vet. Madhështia e saj përmes armëve u sfidua nga madhështia e rezistencës së familjes Jashari. E këtu zuri vend frymëzimi e vullneti i mbarë popullit tonë për një luftë të re”.

“Tre brezat e flijuar të familjes Jashari janë shtylla më e fuqishme e lirisë sonë. Familja Jashari trasoi rrugën nga e cila nuk mund dhe nuk duhet të devijojmë. Ata na mësuan të gjithë neve se liria është e domosdoshme e se dorëzimi nuk është asnjëherë alternativë. Rezistenca dhe sakrifica e tyre për liri janë udhërrëfyesi më i qartë për ne në punën për Republikën. Lavdi të gjithë të rënëve të familjes Jashari. Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit”, shkroi Sveçla.

13:00 – Kurti: Sot e përmbushim vizionin e Adem Jasharit për Ushtrinë e Kosovës

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se rënia heroike e Adem Jasharit kishte bërë që ai të mbetej i gjallë mes ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se ai është gjallë edhe sot, veçanërisht tek ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Ato ditë ishte ende koha e luftës, e asaj lufte për të cilën Adem Jashari ishte përgatitur gjithë jetën dhe asaj lufte që ai ia kushtoi tërë jetën. U tha “Ai është gjallë”, edhe pse ai kishte vdekur për liri, sepse ishte pikërisht rënia e tij heroike, që kishte bërë që Adem Jashari të mbetej i gjallë mes ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai është gjallë edhe sot, veçanërisht sot, dhe veçanërisht tek ju ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, tha Kurti gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e organizuar në FSK, për nder të 25 vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

Kurti tha se sot është përmbushur vizioni i atëhershëm i Ademit, për krijimin e Ushtrisë së Kosovës, njofton Klankosova.tv.

“Sot ne e përmbushim vizionin edhe vizionin e atëhershëm të Adem Jasharit për Ushtrinë e Kosovës, teksa e ndihmojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila është në proces të transformimit, në Forcat e Armatosura të Kosovës, duke shtuar personelin dhe rritur kapacitetet, duke u pajisur me pajisje moderne, dhe duke u trajnuar e stërvitur në akademitë më të mira ushtarake të vendeve tona aleate”, deklaroi i pari i Qeverisë.

12:51 – Rifat Jashari: Kënaqësi me qenë para kësaj ushtrie që e kemi pritur ‘dem baba dem’

Vëllai i heroit Adem Jashari, Rifat Jashari, ka folur sot në nder të 25-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Jashari tha se është kënaqësi për të që të jetë pranë kësaj ushtrie që është pritur për kohë të gjatë, njofton Klankosova.tv.

“Sot, Ushtria Çlirimtare e Kosovës na u bashkua për 25-vjetorin e Epopesë së lavdishme, është një kënaqësi me qenë para kësaj ushtrie që e kemi pritur dem baba dem”, ka thënë Jashari.

“Ua urojë 25-vjetorin, u uroj shëndet e punë të mbare e ishalla Zoti na ndihmon, të arrijmë qëllimet tona shekullore për hir të luftës, gjakut të bijve e bijave tona, të dëgjojmë një gjuhë të përbashkët dhe të arrijmë qëllimet tona në maksimum si të gjitha shtetet që ekzistojnë në botë, lavdi të gjithë të rënëve”, shtoi ai.

12:38 – Osmani për 25 vjetorin e Epopesë së UÇK-së: Ngjarje që ndryshoi rrjedhën e historisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së, me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së.

Ajo është shprehur se po përkujtohet 25 vjetori i një ngjarjeje që, sipas saj, ndryshoi rrjedhën e historisë.

“Sot jemi mbledhur për të përkujtuar 25 vjetorin e një ngjarjeje që ndryshoi rrjedhën e historisë, një ngjarje që i tregoi botës se çfarë mund të arrijë një popull që e do dhe e meriton lirinë, sidomos kur në krye të tij ka patriotë të devotshëm e trima sikurse komandanti legjendar, Adem Jashari me familjen e tij, por edhe vajza e djem të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, u shpreh ajo.

Osman tha se kujtimi për heronjtë dhe respekti për luftëtarët do jetë gjithmonë në zemrat dhe mendjat e të gjithë qytetarëve të Kosovës, përcjell Klankosova.tv.

“Të gjithë heronjëve të rënë, faleminderit përjetësisht, faleminderit për shërbimin, guximin dhe sakrificën gjithë luftëtarëve tanë, kujtimi për heronjtë dhe respekti për luftëtarët do jetë gjithmonë në zemrat dhe mendjat e të gjithë qytetarëve të Kosovës, duke e çmuar dhe ruajtur fortë lirinë dhe Republikën tonë, Zoti e bekoftë familjen Jashari, Zoti i bekoftë të gjithë dëshmorët tanë, Zoti i bekoftë qytetarët tanë dhe Republikën e Kosovës”, u shpreh tutje ajo.

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS.

12:23 – Kurti e Konjufca arrijnë në kazermën “Adem Jashari” (FOTO)

Sot do të zhvillohet ceremonia e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së, me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së.

Kjo ceremoni do të mbahet në Kazermën “Adem Jashari”, ku pas presidentes Vjosa Osmani dhe Ministrit Xhelal Sveçla, ka arritur edhe Kryeministri Albin Kurti dhe Kryeparlamentari, Glauk Konjufca.