Maqedoni

Mjeku me zemër të madhe nga Tetova që po ndihmon vullnetarisht popullin ukrainas tani 6 muaj

Vesel Qazimi edhe pse në moshë të re, ka arritur shumë suksese në karrierën e tij mjekësore. Përveç si mjek profesionist ai shquhet edhe për shpirtin humanitar, që e dëshmon edhe aktiviteti i tij në ndihmë popullit ukrainas të goditur nga agresioni rus.
Veseli tani gjashtë muaj është duke shërbyer vullnetarisht në kufirin mes Ukrainës dhe Moldavisë, duke u ofruat ndihmën e nevojshme për civilët refugjatë, shkruan Lideri.mk.

Si vullnetar i dëshmuar ai ka qenë i ftuar në hapjen e ekspozitës kushtuar një vjetorit të fillimit të luftës.

“Sot shënuam një vjetorin e fillimit të luftës në Ukrainë. Morëm pjesë në inaugurimin e ekspozitës “Big Hearts” e organizuar nga Kongresi Kombëtar Ukrainas, që tregon eksperiencën jetësore të 12 vullnetarëve që përballen me efektet e luftës shkatërrimtare në Ukrainë”, ka shkruar me këtë rast mjeku Vesel Qazimi.

Opinioni në Tetovë dhe në Maqedoninë e Veriut e njeh mjekun Vesel Qazimi edhe si aktivist të shoqërisë civile në kuadër të shoqatës “Eco Guerilla”, e cila me aktivitetin e saj mbylli oxhaqet helmuese të Jugohromit.