Gashi takoi ambasadorin gjerman: Kushti ynë mbetet amendamenti për luftë kundër korrupsionit!
Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, i shoqëruar nga nënkryetarja Safije Sadiki – Shaini, sot pritën në selinë e Alternativës U.D. Ambasador i Republikës Federale Gjermane në Shkup, Otto Graf.
Temë e këtij takimi ka qene situata aktuale politike në vend dhe vendimi i Alternativës për të dalë nga qeveria. Me këtë rast, Gashi ka njoftuar Ambasadorin Gjerman se pasi që partneri i koalicionit, LSDM, nuk e ka respektuar marrëveshjen e nënshkruar me ish kryetarin e kësaj partie, të miratuar edhe nga kryeministri aktual, ka përfunduar edhe arsyeja që Alternativa të vazhdojë të mbetet pjesë e një qeverie që nuk i respekton marrëveshjet me partnerët e saj.
“Përveç kësaj, i thash Ambasadorit se ky veprim antieuropian i LSDM-së do të ketë pasoja edhe në procesin integrues të Maqedonisë së Veriut, sepse nuk mund të synohet perspektiva europiane me standarde antieuropiane dhe me aktorë që vetëm nga pamja duken europianë. Prandaj, shtova se, që ta dëshmojnë se a janë për integrim të njëmendtë europian, gjithsesi me qëllim që të rritet pragu institucional i luftës kundër korrupsionit, si një brejtës i shtetit, kusht për votimin e ndryshimeve kushtetuese e kemi vënë votimin e amandamentit të Alternativës për luftë kundër korrupsionit”, njoftoi Gashi pas takimit.
Edhe U.D. Ambasadori i Gjermanisë, nga ana e tij, ka shprehur mirëkuptim për vendimin e Alternativës. “Na inkurajoi që të mbetemi në rrugën e integrimit europian, si e vetmja udhë që shpie në mirëqenie dhe perspektivë për qytetarët e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftim.