Maqedoni

Bekim Sali “shuplakë” Kovaçevskit: Në tragjedi, mundohet të fitojë pikë politike

Ka ndërruar jetë pacienti që ishte në gjendjen më të rëndë me sëmundjen fibrozë cistike, Bllagojçe Ilievski. Lajmi është konfirmuar nga Shoqata për fibrozë cistike. Ndërkohë i pyetur për përgjegjësi rreth vdekjes së këtij pacienti, kryeministri Dimitar Kovaçevski, tha:

“Sot në mëngjes kam biseduar me ministrin e Shëndetësisë dhe i kam thënë se kjo situatë është e papranueshme, kam biseduar edhe me drejtorinë Fondit Për Sigurim Shëndetësor, kam biseduar edhe me ministrin e Financave dhe ato ishin bisedimet e para që i kisha. I kam lutur, posaçërisht ministrin e Shëndetësisë që të mendoj dhe të më tregoj se a mund ta vazhdoj mandatin e tij. Unë vendimin tim për çështjet kadrovike do ta sjell pas asaj”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Nga ana tjetër nga Ministria e Shëndetësisë thonë se me kohë kanë raportuar dhe kërkuar ndihmë nga Qeveria për pacientët me fibrozë cistike.
Në reagimin e tij ministri Sali sqaron qartë përgjegjësinë e institucioneve për furnizim me ilaçin në fjalë.

E shfrytëzoj rastin që të shpreh ngushëllimet më të sinqerta deri te të afërmit e të ndjerit Bllagojçe Ilievski. Jam vërtetë i tronditur që ndodhi kjo tragjedi, dhe asnjë shpjegim ose deklaratë prej politikani nuk do ta kthejë në jetë.

Megjithatë, nuk mund të hesht, as si njeri dhe as si ministër, kur mbi shpatullat e një tragjedie të tillë, bëhet përpjekje e ulët për pikë politike. Prandaj, ja faktet:

(1) Është fakt se Ministria e Shëndetësisë, që prej 27.01 ka kërkuar nga Qeveria të sigurojë mjete për furnizim të ri me terapinë për pacientët me fibrozë cistike. (2) Është fakt se përkundër kërkesës nga MSh-ja, as Qeveria e RMV-së, as personalisht kryeministri, deri dje nuk kanë vendosur që t’i sigurojnë ato mjete. (3) Është fakt se nuk ka terapi të mjaftueshme për shkak se nuk u soll ai vendim nga të tjerët, dhe jo për shkak të MSh-së.

Prandaj, nuk e kam të qartë tentimin që t’i hidhedh faji MSh-së, kur as sigurimi i mjeteve dhe as furnizimi i terapisë nuk janë nën kompetencën tonë. Mjetet i siguron Fondi Shëndetësor, ndërsa furnizimin e bën klinika përkatëse. Por, as ata nuk mund të veprojnë pa vendim qeverie ose pa urdhër të kryeministrit.

Prandaj, mendoj se është e papërgjegjshme ta zhvendosim përgjegjësinë. Nëse do të donim të garonim me deklarata politike, unë poashtu do të mund të përgjigjesha me pyetje: ai i cili, përkundër kërkesës së Ministrisë së Shëndetësisë, nuk ka miratuar mjete për ilaç për pacientë me një sëmundje të tillë të rëndë, a vlerëson se mund ta vazhdojë mandatin?
Do të mund të pyesim edhe nëse ndoshta shumë kohë dhe vëmendje është harxhuar për bisedimet e koalicionit, derisa pacientët prisnin. Megjithatë, vlerësoj se deklaratat e tilla populiste janë të papërshtatshme në raste të tilla.

Unë e di se politika është profesion i paskrupullt, por ne megjithatë kemi obligim ta ruajmë dinjitetin dhe njerëzoren. Megjithatë të gjithë ne jemi pacientë potencialë në shëndetësinë publike dhe duhet të bashkëndjenjë për hallet e bashkëqytetarëve tanë, pavarësisht resurseve të kufizuara.