Rajon - Botë

Biden, Presidenti i parë amerikan që njeh “gjenocidin armen”

Joe Biden është bërë Presidenti i parë amerikan që njeh formalisht “gjenocidin armen”, më shumë se një shekull pas vrasjeve masive të kryera nga trupat osmane ndaj popullsisë armene. “Populli amerikan nderon të gjithë ata armenë që u zhdukën gjatë gjenocidit që nisi si sot, 106 vite më parë”, u shpreh Biden në një komunikatë zyrtare ditën e shtunë.

“Që kur nisi në 24 prill 1915 me arrestimin e intelektualëve armenë në Kostandinopojë nga autoritetet osmane, 1 milion e gjysmë armenë u deportuan, u masakruan dhe u vranë në një fushatë asgjësimi”, shton komunikata.

Statusi i Turqisë si anëtar i NATO-s dhe aleat i vjetër i SHBA-së në rajon, e ka ndaluar më parë Amerikën për ta quajtur gjenocid, por vitet e fundit marrëdhëniet Uashington-Ankara janë përkeqësuar shumë.

Vrasja e 1,5 milionë armenëve ndodhi në kohën që Perandoria Osmane po binte dhe po krijohej shteti modern i Turqisë. Shumë prej viktimave vdiqën duke marshuar në shkretëtirën siriane./A2 CNN