Maqedoni

Tensione dhe rrahje mes bullgarëve e maqedonasve, cilën anë duhet ta mbajnë shqiptarët?

Katër shkurti pritet të jetë ditë e tensionuar ndëretnike në Shkup. Për dallim prej herave të kaluara kur shkak për tensione zakonisht ishin raportet shqiptaro-maqedonase, kësaj radhe frikën e shkaktojnë raportet mes maqedonasve dhe bullgarëve.

Shoqata bullgare “Maqedonia” nga Sofja ka paralajmëruar pjesëmarrje masovike të bullgarëve në shënimin e 4 Shkurtit, ditëlindjes së Goce Dellçeit, figurë historike që të dy palët e konsiderojnë të veten.
Tensionet janë shtuar, bashkë me frikën për përplasje të mundshme janë rritur pas incidentit në Ohër ku është rrahur sekretari i përgjithshëm i klubit bullgar.
Ai është derguar për shërim në Sofje, prej ku kanë filluar të vijnë reagime të ashpra.
Kulmibi ketyre tensioneve tani pritet të jetë pikërisht 4 shkurti.
Tensionet kanë shkuar aq larg, sa që edhe presidenti maqedonas Stevo Pendarovski, i njohur për qëndrime të moderuara, ka kërkuar që një eurodeputet bullgar dhe disa qytetarë të Bullgarisë të shpallen “persona non grata” nē Maqedoninë e Veriut. Ndaj Pendarovskit ka reaguar ish ministrja e jashtme bullgare, Ekaterina Zakharieva, duke e akuzuar se punon në interes të Serbisë dhe Rusisë.

Në opinion po qarkullon edhe dilema se si duhet në këtë situatë të sillen shqiptarët e Maqedonisë së Veriut?

“Mendoj se shqiptarët nuk duhet fare të involvohen në këtë çështje, që të mos provokojmë bashkëqytetarët tanë maqedonas, e në anën tjetër të mos provokojnë as bullgarët si popull me të cilin kemi Serbinë si kundërshtar të përbashkët rajonal”, vlerëson analisti Ejup Berisha në deklaratën e tij për portalin Lideri.mk.

Ndryshe Qeveria e Maqedonisë se Veriut pas seancës së djeshme njoftoi se ka miratuar konkluzione lidhur me shënimin e ditëlindjes së Goce Dellçevit më 4 Shkurt dhe ka ngarkuar MPB-në që t`i ndërmerr të gjitha masat për të siguruar ngjarjen, konform rekomandimeve të Këshillit për Siguri.