Maqedoni

Deklaratat e Pendarovskit “trazojnë” skenën politike në Bullgari

DITËLINDJA E GOCE DELLÇEVIT – NGJARJE ME RREZIK TË LARTË SIGURIE

Do të aktivizohen të gjitha mekanizmat evropian për të përfunduar histeria dhe urrejtja anti-bullgare – tha Presidenti bullgar Rumen Radev duke komentuar vendimin e Presidentit Stevo Pendarovski, që t`u ndalohet hyrja në Maqedoninë e Veriut, një eurodeputeti dhe disa shtetasve bullgar, sic përcjell KlanM,, për shkak të veprimeve që i kanë ndërmarrë dhe ende po i ndërmarrin kundër vendit.

“Tani e kuptoni se përse aq shumë luftova për të drejtat e bullgarëve maqedonas që të jenë të mbrojtur në Kushtetutën e RMV-së dhe kjo të jetë parakusht për nisjen e negociatave. RMV-ja nuk ka nisur negociatat. Ende nuk e kanë hapur derën e hapësirës ku zhvillohen këto negociata. Është koha e fundit që institucionet e RMV-së të dëshmojnë se aktivisht luftojnë kundër kësaj fushate anti-bullgare” – Rumen Radev, president i Bullgarisë.

Presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski, nuk i mbron interesat e vendit të tij, por u shërben politikave të Serbisë dhe Rusisë në Ballkan – është shprehur për mediat bullgare ish- Ministrja e Jashme, Ekaterina Zaharieva.

“Bullgaria patjetër të ketë reagim të ashpër dhe definitiv ndaj deklaratës së Presidentit të RMV-së. Fatkeqësisht, kjo nuk është hera e parë që të jep deklarata të ashpra që nuk ndihmojnë në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe” – tha Ekaterina Zaharieva, ish ministre e jashtme Bullgare.

Presidenti Stevo Pendarovski, sic njofton KlanM, të hënën, pas përfundimit të seancës së Këshillit për Siguri Kombëtare deklaroi se do t`i propozojë Qeverisë që t`u ndalohet hyrja në Maqedoninë e Veriut një deputeti bullgar në Parlamentin Evropian dhe disa personave tjerë – shtetas të Bullgarisë, për shkak të veprimeve kundër vendit tonë.

Presidenti, sic percjell KlanM, njoftoi se sipas të gjitha vlerësimeve dhe analizave të shërbimeve kompetente të sigurisë, shënimi i ditëlindjes së Goce Dellçevit më 4 Shkurt do të jetë një ngjarje me rrezik të lartë sigurie, për shkak se struktura të organizuara në Bullgari, që sic u tha, zhvillojnë fushata antishtetërore ndaj RMV-së janë duke mobilizuar më shumë njerëz që të vijnë në Shkup.

Qeveria, sic njofton KlanM, pas seancës së djeshme njoftoi se ka miratuar konkluzione lidhur me shënimin e ditëlindjes së Goce Dellçevit më 4 Shkurt dhe ka ngarkuar MPB-në që t`i ndërmerr të gjitha masat për të siguruar ngjarjen, konform rekomandimeve të Këshillit për Siguri.

Megjithatë, në pjesën rreth propozimit të Presidentit Pendarovski për shpalljen si persona të padëshirueshëm të një eurodeputeti dhe shtetasve tjerë bullgar, Qeveria nuk është prononcuar në seancën e fundit. /KlanMacedonia/