Maqedonia e Veriut në pritje të “Listës së Zezë” të SHBA-ve
Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Ambasada Amerikane në Shkup janë në bashkëpunim të ngushtë, nga ku pritet publikimi i “Listës së zezë”, që a do të jetë një nga mjetet me të cilat SHBA do të luftojë korrupsionin në Maqedoninë e Veriut.
Kjo është konfirmuar nga Departamenti i Shtetit për Zërin e Amerikës, nga ku kanë bërë të ditur se neni 7031(c) po konsiderohet si mjet për të kontrolluar korrupsionin në Maqedoninë e Veriut.
Përndryshe, ky nen parashikon përfshirjen në “Listën e zezë” të zyrtarëve të qeverive të huaja të përfshirë në korrupsion, e që kjo nënkupton refuzimin e hyrjes në SHBA-të.
Edhe pse është gjithnjë e më e sigurt se do të ketë “Listë të zezë”, tani për tani mbetet sekret se kush dhe sa do të jenë në të dhe nëse do të ketë politikanë, deputetë, ministra, gjyqtarë dhe prokurorë aktualë, raporton TV Telma.
Gjithsesi, opinioni vendas pret që në listë të gjenden figura të larta politike, por ekspertët qetësojnë dhe paralajmërojnë se pritshmëritë dhe njoftimet spektakolare nuk do të thotë se ato do të realizohen.
Presidenti amerikan Joe Biden në fillim të mandatit të tij miratoi një urdhër ekzekutiv sipas të cilit personat që janë drejtpërdrejt ose indirekt përgjegjës për minimin e proceseve apo institucioneve demokratike në Ballkanin Perëndimor, përfshirë korrupsionin dhe shkeljet e të drejtave të njeriut, do të futen në “Listën e zezë”. Po ashtu edhe ambasadorja e SHBA-së, Angela Ageler, ka bërë të ditur edhe para emërimit se prioritet do të jetë lufta kundër korrupsionit në vend. (INA)