Maqedoni

Mexhiti: Grubi dhe Osmani, ushtarët e fundit të Gruevskit

Nënkryetari i BDI-së Izet Mexhiti, thotë se Artan Grubi dhe Bujar Osmani ishin ushtarët e fundit të Nikolla Gruveskit. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Mexhiti thekson se në diskutimet brenda partiake në periudhën kur BDI duhet të ndahej nga Gruevski dhe të vendoste për t’u pozicionuar krah Zoran Zaevit “Grupi i Zjarrit” ka pasur rol shumë të rëndësishëm. Sipas tij ministrat aktualë të BDI-së nuk kanë kaluar fare në Kryesinë Qendrore, por dy vite më parë në Kuvend i votoi edhe vet ai sepse një gjë të tillë e kishte Ali Ahmeti. Mexhiti tha se këto dy vite kanë heshtur pakënaqësitë e tyre ndaj ministrave të BDI-së për hatër të Ahmetit dhe për shkak të proceseve të rëndësishme, siç ishte anëtarësimi i vendit në NATO.

“Ne e ndezëm alarmin për korrigjim, para se të na korrigjojë populli. Orientimi strategjik i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, pikërisht në këtë rast “të zjarrtët” edhe pse nuk jemi “ të zjarrtët”, mendoj se ishim një nga faktorët kyç edhe atëherë kur BDI duhet të ndahej nga Gruevski dhe të orientohej për koalicion të ri me Zoran Zaevin, të ndryshohej emri dhe të bëheshim pjesë e NATO-s. Edhe atëherë, e rastësishme apo jo, debate ishte pro dhe kundër, unë dhe ata të dy, Artan Grubi dhe Bujar Osmani. Ata ishin ushtarët e fundit të Nikolla Gruevskit”, deklaroi Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI-së

Izet Mexhiti vlerëson se Ali Ahmeti duhet t’i rikthehet rolit të tij të kryetarit të të gjithë anëtarëve të BDI-së dhe të mos mbajë anë.

“Ai është lider, ai është kryetar i partisë dhe ne me gjithë këto hapa dëshirojmë që ta kthejmë të bëhet kryetar i të gjithëve në parti, të jetë kryetar i partisë dhe jo të mbajë anë, sepse do të krijohet përshtypja, në përgjithësi në fakt përshtypja tek anëtarësia është se Grubi funksionon si klan dhe Ahmeti është si mbrojtës i atij klani. Ai duhet të kthehet në postin parësor që ka, që është kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim”, u shpreh Izet Mexhiti-nenkryetar i BDI-së.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në fjalimin e tij në Çegran një ditë më parë nuk kurseu mesazhet e drejtpërdrejta dhe të tërthortë për “ Grupin e Zjarrit”. Ahmeti tha se pret që do reflektojnë. Ndërsa grupi i Ahmetit dhe Grubit në Çegran tregonte para simpatizantëve të arriturat, “Grupi i Zjarrit” nga Manastiri jepte argumente për dështimet e ministrave. Takime paralele të dy grupeve janë paraparë edhe në ditët në vazhdim. Njëra palë vazhdon aktivitetet në Gostivar, ndërsa tjetra në Shkup. /alsat.mk