Maqedoni

Në vitin 2022, vetëm 18 lindje në Dibër

Të dhënat të Spitalit të Përgjithshëm në Dibër thonë se edhe gjatë vitit që kaloi më shumë lindje janë kryer në Spitalet e tjera se sa në Dibër. Drejtoresha e Spitalit, Sevdie Koxha, informoi se gjatë vitit 2022 në Dibër kanë lindë gjithsej 18 foshnje

Dibër, 14 janar – Gjatë vitit që kaloi përsëri nënat dibrane në pjesën më të madhe lindjet i kanë realizuar në Spitalin e Strugës, të Shkupit kurse është minoren numri i nënave që kanë lindur në Spitalin e Dibrës. Kjo situatë përsëritet disa vite me radhë. Vetëdija për të patur një lindje më të mirë dhe më të lehtë çon nënat e reja nga Dibra të lindin më shumë në Strugë se sa në vendlindje.

Të dhënat të Spitalit të Përgjithshëm në Dibër thonë se edhe gjatë vitit që kaloi më shumë lindje janë kryer në Spitalet e tjera se sa në Dibër. Drejtoresha e Spitalit Sevdie Koxha informoi se gjatë vitit 2022 në Dibër kanë lindë gjithsej 18 foshnje. Lindjet janë realizuar pa probleme në repartin e gjinekologjisë. Nga ana tjetër 68 lindje, nënat dibrane kanë patur në Spitalin e Përgjithshëm në Strugë. Gjinekologu Muhamed Asani thotë se viteve të fundit pjesa më e madhe e nënave dibrane lindjet i realizojnë në Spitalin e Strugës. Sipas tij në vitin 2022 janë evidentuar 68 lindje të nënave nga komuna e Dibrës si nga qyteti ashtu edhe nga fshatrat. “Nga 68 lindje, 28 lindje janë realizuar me operacione cezariane. Sa i takon numrit të lindjeve ka disa vite me radhë që gratë dibrane në pjesën më të madhe lindin në Spitalin e Strugës”, thotë gjinekologu Asani. Por, duhet theksuar edhe faktin se përveç lindjeve në spitalin e Strugës ka edhe pacientë të tjerë dibran të cilët pikërisht në këtë institucion shëndetësor realizojnë kontrolle për sëmundje të tjera. Diçka më shumë se 30 lindje gjatë vitit që kaloi janë realizuar në spitalet shtetërore dhe private në Shkup si dhe në Tetovë.

Numri i ulët i lindjeve që realizohet në Spitalin e Dibrës tani është prezent disa vite me radhë. Deri vonë si shkaqe kryesore kanë qenë mungesat e mjekëve specialist që i nevojitet repartit të gjinekologjisë por edhe dëshirat të nënave dibrane të lindin në Strugë, edhe pse kohëve të fundit është rritur numri i gjinekologëve në Spitalin e Dibrës. Udhëtimet drejt Strugës apo Shkupit janë kryesisht një dëshirë edhe e vet nënave.

Numri i lindjeve në komunën e Dibrës mesatarisht është diçka më shumë se 120. Në krahasim me dy dekada më parë, ka një ulje rapide të lindjeve për shkak të migrimit masiv të popullatës. Gjinekologu i njohur dibran tani më pensionist Dr Ferit Vojnika për gazetën KOHA thotë se para katër dekadave në Spitalin e Dibrës janë evidentuar edhe mbi 700 lindje nga komunat Dibër dhe Qendër Zhupë. Këto të dhëna flasin qartë se ulja rapide e lindjeve për shkak të migrimit vazhdon të thellohet nga viti në vit.