Maqedoni

Tetovë, 8 viktima nga aksidentet gjatë vitit 2022. Policia paralajmëron masa më të ashpra

Mosrespektimi i rregullave në trafik dhe mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës në shumicën e rasteve përfundon me aksident, ku përveç dëmeve materiale shkaktohen edhe lëndime dhe fatalitete.

Gjatë vitit 2022, vetëm në rajonin e Tetovës kanë ndodhur gjithsej 805 aksidente. Sipas policisë, numri më i madh i, 421, kanë qenë vetëm me dëme materiale, por fatkeqësisht ata që kanë pësuar më shumë kanë qenë këmbësorët. Në këto aksidente 376 persona kanë pësuar lëndime trupore, ndërsa 8 prej tyre kanë humbur jetën.

“Kemi shënuar një ulje të ndjeshme të numrit të aksidenteve, gjithashtu për 9% është zvogëluar edhe numri i personave të cilët kanë pësuar lëndime gjatë aksidenteve, por për fat të keq ky vit ishte i kobshëm për tetë viktima, të cilët pësuan në aksidente trafiku. Numri më i madh i viktimave kanë qenë këmbësor dhe çiklist dhe njëri prej tyre ka qenë drejtues automjeti ose shoferë”, tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës SPB-Tetovë.

Policia e Tetovës paralajmëron masa më të ashpra si për këmbësorët po ashtu edhe për vozitësit në të ardhmen, me qëllim që këmbësorët të jenë më të sigurt.
“Apelojmë te qytetarët, kryesisht te këmbësorët që të mos kalojnë rrugën kudo që të arrijnë, por vetëm në vendet e shënuara për kalim të këmbësorëve. Për këtë shkak do të vazhdojë edhe organizmi i aktiviteteve kontrolluese, pra aksione kontrolluese për shkeljet që kryejnë këmbësorët në komunikacion por edhe ndaj vozitësve që nuk u japin përparësi këmbësorëve”, shtoi Rexhepi.

Numri më i madh i aksidenteve kanë ndodhur në rrugët e Tetovës dhe në autostradën Gostivar-Tetovë-Shkup, ndërsa pjesa tjetër e aksidenteve kanë ndodhur në rrugët lokale dhe rajonale përreth. Numri i aksidenteve me devijim të automjetit nga rruga është 110, ndërsa 73 aksidente janë shkaktuar nga lëvizja e pakontrolluar e kafshëve në rrugë, shumica e të cilave në autostradë. Përndryshe në tërë Maqedoninë e Veriut vitin e kaluar në aksidente trafiku kanë humbur jetën rreth 116 persona./TV21