LIVE nga Mitrovica | Fillon lëvizja e kamionëve nga Lagja e Boshnjakëve
12:50 – Fillon lëvizja e kamionëve nga Lagja e Boshnjakëve
Është lëvizur kamioni i parë i barrikadave në veri të vendit.
Kamioni në fjalë ka qenë në lagjen e Boshnjakëve, ndërsa ka qenë i parkuar anash rrugës – pra s’ka qenë pjesë direkte e bllokimit të rrugës.
Ndërkaq ende nuk kanë lëvizur kamionët kryesorë që e kanë bllokuar rrugën.
Sot është liruar për qarkullim pika kufitare në Merdare, e cila u bllokua dy ditë më parë në pjesën serbe, njofton Klankosova.tv.
____________________________________________________________________________________________________________________
10:53 – Partia e Serbëve të Kosovës: E tërë ngjarja me barrikada ishte gënjeshtër e Listës Serbe
Partia e Serbëve të Kosovës (PKS) ka deklaruar se “populli është keqtrajtuar, janë detyruar të lënë vendet e tyre të punës, të ngrinin për 19 ditë në barrikada dhe të rrezikonin sigurinë e të gjithëve ne”.
“Për të gjithë ata që ende besojnë se e mbrojtën Serbinë dhe popullin serb në barrikada, ne duam që në 48 orët e ardhshme të hapin sytë dhe të kuptojnë se gjithçka ishte gënjeshtër. Një gënjeshtër në regji të Listës Serbe dhe nënkryetarit të saj, Milan Radojiçiq”, thuhet në një deklaratë për media, raporton “RadioKim”.
“Nëse dikush sheh fitore për serbët në dërgimin e një njeriu në arrest shtëpiak, atëherë ai dikush është i verbër. Partia e Serbëve të Kosovës shpreson që të gjithë ata që bllokuan lëvizjen normale të qytetarëve në veri dhe i detyruan të dalin në barrikada, do të mbajnë përgjegjësi për këtë”.
Nga kjo parti i bëjnë thirrje Listës Serbe që të mos presin lëvizjet e Prishtinës, por të heqin barrikadat e veta, të cilat, siç thotë kjo parti, “më së shumti i bëjnë dëm drejtpërdrejti serbëve në veri të Kosovës”. /Klankosova.tv
10:45 Rudarë, situata akoma e njëjtë – nuk largohen barrikadat
Barrikadat që janë vendosur në Rudarë akoma nuk janë lëvizur deri më tani.
Nuk ka asnjë lëvizje të kamionëve dhe vetëm pak banorë të asaj zone vërehen se qarkullojnë në rrugë.
Ndërkaq, barrikadat që ishin vendosur para pikës kufitare të Merdares në territorin e Serbisë janë larguar.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha mbrëmë vonë se janë pajtuar me serbët e Kosovës që nga mëngjesi i sotëm të fillojë heqja e tyre.
10:36 – Qendra për Menaxhim Kufitar: Pika në Merdare është kthyer në normalitet të plotë
Qendra për Menaxhim Kufitar të Kosovës ka bërë të ditur se pikë kalimi kufitar në “Merdare” është plotësisht i liruar dhe në funksion.
Kjo pasi sot janë larguar barrikadat që ishin vendosur nga serbët në anën e Serbisë, si masë solidarizimi me serbët në Kosovë.
“Njoftojmë qytetarët dhe bashkatdhetarët tanë, se pikë kalimi Kufitar “Merdare”, është liruar për qarkullim është kthyer në normalitetit të plotë”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.
10:00 – Pika kufitare e Merdarës lirohet për qarkullim
Pika Kufitare në Merdare është liruar për qarkullim.
Lajmi u bë i ditur nga policia.
“Bazuar në informacionet e fundit, rruga e cila ishte bllokuar me 27.12.2022 në kilometrin e dytë brenda në Serbi, sot në ora 09:50 është liruar për qarkullim. Andaj, njoftojmë qytetarët dhe bashkatdhetarët tani se pikë kalimi kufitar “Merdare”, është liruar për qarkullim dhe i është kthyer normalitetit të plotë”, thuhet në njoftim.
09:47 – UNMIK-u mirëpret vendimin për heqjen e barrikadave, kërkon rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi
Mbrëmë vonë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, prit në takim përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, ku u diskutua për barrikadat.
Pas takimit, rreth orës 24:00, Vuçiqi njoftoi se është marrë vendimi për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës, raporton Klankosova.tv.
Për këto zhvillime ka reaguar shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, e cila thotë se mirëpret masat për uljen e tensioneve në veri të Kosovës, duke përfshirë heqjen e barrikadave.
Ajo falënderon për “përpjekjet e mundimshme të të gjitha palëve”, përfshirë partnerët ndërkombëtarë, për të garantuar sigurinë e popullit të Kosovës në të gjitha komunitetet.
“Ziadeh thekson rëndësinë e mbajtjes së zotimeve dhe rifillimit të bisedimeve për adresimin e plotë të çështjeve të pazgjidhura dhe normalizimin e marrëdhënieve pa vonesë. Ajo shpreh vlerësimin e saj për vendosmërinë e palëkundur të partnerëve ndërkombëtarë për të nxitur dialogun drejt sigurisë dhe stabilitetit, në respekt të plotë të mandateve të tyre”, ka thënë Zyra për Informim e UNMIK-ut. /Klankosova.tv
09:34 – Policia jep detaje për djegien e barrikadës te “Kërshi i Dudës”: Nuk ka persona të lënduar
Policia e Kosovës ka dhënë detaje për djegien e barrikadës te “Kërshi i Dudës” gjatë ditës së sotme.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se janë djegur dy kamionë, dhe se nuk ka persona të lënduar.
“Bazuar në informacionet zyrtare, në mëngjesin e hershëm është raportuar se në lokacionin e quajtur “Shkëmbi i Dudës” në Mitrovicën e Veriut janë djegur dy mjete të rënda (kamionë), të cilët kanë qenë të vendosur në barrikadë”.
“Përveç dëmeve materiale nuk raportohet për lëndime, përderisa rasti është duke u hetuar”, transmeton Klankosova.tv.
07:48 Përfshihet nga flakët barrikada e vendosur te “Kërshi i Dudës”
Barrikada e vendosur tek vendi i quajtur “Kërshi i Dudës” në veri, është djegur.
Kjo është njëra prej pengesave që është vendosur para dy ditëve për të penguar edhe më tej lëvizjen e qytetarëve në veri të vendit.
Numri i barrikadave tanimë ka shkuar në 13-të. Kjo pas arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq, i cili dyshohet se ka sulmuar Zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor në veriun e Mitrovicës.
Të njëjtit dje i është ndryshyar masa e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.
Situata në ato zona vazhdon të jetë e tensionuar. Grupet kriminale në shumë raste i kanë sulmuar qytetarët, mediat, por nuk munguan as sulmet ndaj organeve të sigurisë.
Megjithatë, presidenti serb Vuçiq tha mbrëmë vonë se janë pajtuar me serbët e Kosovës që nga mëngjesi i sotëm të fillojë heqja e tyre.