Maqedoni

Aliti: Do të zgjidhet problemi 30 vjeçar me pagat e administratorëve

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës nga radhët e Alternativës, Admirim Aliti, njoftoi se me propozim të dikasterit të tij, Qeveria në seancën e sotme kaloi konceptin bazë të Ligjit për Paga për të punësuarit në institucionet publike.

“Ligji i përfshin të gjitha 1346 institucionet e sektorit publik me 132 088 të punësuar të cilët janë të përfshirë me Ligjin për të punësuarit në sektorin publik”, shkruan ministri Admirim Aliti.

Me ligjin janë të përfshirë edhe të gjithë personat e emëruar dhe të zgjedhur si dhe të punësuarit në të gjitha shoqëritë tregtare në pronësi të plotë shtetërore ose në pronësi të njësive të pushtetit lokal.

Në këtë mënyrë, siç njofton ministri Aliti, do të mundësohet rregullimi i pagave të vendeve të ngjashme të punës të cilat mund që të krahasohen midis tyre nga njëra anë, dhe nga ana tjetër gjatë ndryshimit të pagave në një nënsistem nuk do të duhet që të hapet i tërë sistemi i pagave.

Alternativa ka përshëndetur këtë sukses të ministrit të saj në të mirë të 130 mijë administratorëve.

“Kështu, ministri nga AlternAtivA zgjodhi një problem të administratorëve që nuk ishte zgjedhur në 30 vite pavarësi. Asnjë prej qeverive të mëhershme nuk arriti të përgatisë Ligjin për Pagat, me çka do të rregulloheshin kërkesat e mijëra të punësuarve në administratën publike”, kanë thënë nga Alternativa.