Dënohen kumanovarët që festuan me flamuj kuq e zi fitoren e Zvicrës kundër Serbisë (Video)
Kështu u festua në Kumanovë fitorja e Zvicrës ndaj Serbisë, gjatë Botërorit. Por tifozëve gëzimi nuk u zgjati shumë. Kjo pasi që disa ditë më vonë u gjobinën nga policia. Një person që pretendon se atë natë ka kaluar me makinë rastësisht nga rruga ku festohej, në redaksinë e TV21 dërgoi gjobat që ka marrë, e që kanë vlerën 430 euro. Në dënimin e parë qëndron se automjeti është parkuar në udhëkryq, ndërkaq në dënimin e dytë se personi nuk ka vepruar sipas rregullave të trafikut. Personi që u ankua nuk është i vetmi, edhe disa të tjerë që janë gjendur atë ditë në atë kolonë rastësisht janë dënuar njësoj, thonë për TV21.
“Ju njoftojmë se lidhur me ngjarjen janë thirrur në intervistë informative në SPB të Kumanovës mbi 10 persona pasi është konstatuar se kanë kryer vepra të ndryshme, si mosrespektim ndaj shenjës “STOP” nga zyrtarëve policorë dhe mosrespektim ndaj urdhrit të zyrtarit policor. Pas marrjes në pyetje personat janë liruar dhe pas dokumentimit të rasteve do të dorëzohen parashtresat përkatëse”, thonë nga SPB-Kumanovë.
Kryetari i Komunës së Kumanovës Maksim Dimitrievski thotë se qytetarët duhet të jenë të vëmendshëm kur festojnë, ndërsa sjelljen e tifozëve e quajti të pahijshme.
“Ne në Kumanovë nuk e kemi rreth rrotullimin që disa individë të vijnë dhe të ngjiten, sikurse të jenë zhonglerë në shtiza dhe të shfaqin flamuj. Kjo është një sjellje e pahijshme dhe unë e dënoj, por gjithsesi përkrah të gjithë qytetarët që kanë vullnet të sinqertë për të festuar qoftë ndonjë ngjarje sportive, ose diçka tjetër. Ne jemi kumanovarë dhe jetojmë sikurse kanë jetuar paraardhësit tanë në të kaluarën dhe ne duhet ta trajtojmë bashkëjetesën, sepse nga kjo varet zhvillimi i qytetit”, theksoi Maksim Dimitrievski, kryetar i Kumanovës.
20 ditë më parë, kur edhe ka ndodhur ngjarja, kryetari Dimitrievski ka kërkuar nga shefi i SPB-Kumanovë t’i tregojë se a ka prishje të rendit dhe qetësisë dhe thyerje të ligjit, mirëpo thotë se deri tani nuk ka marrë përgjigje.