Pas 30 viteve, për herë të parë në Spitalin Klinik të Tetovës janë sjellur pajisje në vlerë prej disa milionë eurove.
Me mjete të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë sot në Spitalin Klinik të Tetovës u dorëzua aparatura e fjalës së fundit të teknologjisë bashkohore, për tu kompletuar objekti i Urgjencës së Qendrës Klinike Spitalore të Tetovës. Kjo është pjesa e tretë që sillet brenda 10 ditëve.
Ndërkohë është shlyer më shumë se gjysma e borxhit të Qendrës Klinike të Tetovës.
Ky investim e ngren në një stad më të lartë, nivelin e shërbimeve spitalore, duke ua lehtësuar pacientëve marrjen e shërbimeve, si dhe e përmirëson shumëfish cilësinë e shërbimeve.
Mjekët tetovarë falënderojnë ministrin Bekim Sali lidhur me përkushtimin e tij të palodhshëm që Spitali Klinik i Tetovës të bëhet ndër më të pajisurit në Maqedoninë e Veriut.
“Suksesi ka emër premtimet për Spitalin Klinik Tetovë bëhen realitet ..Ju falemnderit Ministër Dr Bekim Sali”, shkruan mjeku Ekrem Ismani nga Klinika e Tetovës.
Ai vlerëson lart edhe punën e udhëheqësisë së Spitalit Klinik.
“Respekt për qasjen inkluzive të të dy drejtorave të Spitalit .. Bravo”, thekson Ismani.
Nga ministria e Shëndetësisë njoftojnë se investimet në Spitalin Klinik të Tetovës do të vazhdojnë edhe vitin e ardhshëm, me qëllim që ky Spital të ngritet në nivelin që e meriton Tetova e dy universiteteve, por edhe Pollogu në tërësi.