Pendarovski: Do të mbetemi vetëm 1 milion banorë në Maqedoni
Presidenti Stevo Pendarovski në fjalimin e tij vjetor në Kuvend foli edhe për ikjen e të rinjve nga Maqedonia e Veriut. Pendarovski në fjalim tha se nëse vazhdohet kështu, deri në vitin 2050, sipas parashikimeve të OKB-së, do të mbetemi vetëm 1 milion banorë.
“Rezultatet e regjistrimit këtë vit vetëm na vërtetuan se rreziku më i madh i sigurisë nacionale mbetet demografia. Në Maqedoninë e migracioneve për fat të keq gjithmonë ka pasur më tepër qytetarë të Maqedonisë sesa në atdhe, por për shkak të varfërisë dhe mos-sundimit të së drejtës, “murtaja e bardhë” vazhdon ta zvogëlojë kombin. Ne mund t’i numërojmë dhe shtojmë edhe njerëzit nga diaspora dhe të themi se jemi ë tepër, por e vërteta e hidhur është se sipas parashikimeve të OKB-së, deri në vitin e 2050, nëse vazhdojnë këto trende, në vend do të kemi vetëm 1 milion banorë, nga 2 milionë që ishim kur e krijuam shtetin”, tha mes tjerash Pendarovski.
Presidenti i vendit gjatë fjalimit të tij të fundvitit, përmendi edhe besimin e ultë të qytetarëve në institucionet shtetërore, tha se demokracia është në rrezik serioz.
“Kur besimi në institucione është shumë i ulët, demokracia është në rrezik serioz. Kur klientalizmi dhe lojaliteti partiak janë kriter për punësim dhe përparim në karrierë, nuk duhet të na befasoj dobësia e institucioneve. Bllokadat politike dhe fizike të cilat i shohim në kryeqendër muajve të fundit, sigurisht nuk do të jenë të fundit”, deklaroi Stevo Pendarovski, president.
Ai drejtoi kritika për korrupsionin dhe klientelizmin politik në shtet, i cili, siç theksoi, gërryen besimin e qytetarëve në institucione.
“Interesimi i jashtëzakonshëm mediatik që pasoi vizitën e të ashtuquajturit ekipi i sanksioneve nga SHBA-ja është konfirmimi më i mirë i mosbesimit që qytetarët tanë kanë ndaj autoriteteve vendase kur shohin të vetmen shpresë për drejtësi në institucionet e huaja dhe ndërkombëtare. Megjithatë, realiteti është se askush nga jashtë nuk do ta çrrënjos korrupsionin në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nëse institucionet tona dhe përfaqësuesit e zgjedhur politikë të qytetarëve nuk e bëjnë këtë”, tha Pendarovski.
Në atë përplasje mes kriminelëve dhe numrit të madh të qytetarëve me dinjitet, ka dy synime: së pari, si shtet të tregojë rezultate konkrete, jo vetëm arrestime për publikun, por dënime me burgim afatgjatë dhe kthim të gjërave të vjedhura dhe së dyti, të respektohet prezumimi i pafajësisë, që do të thotë se nuk duhet t’i dënojmë njerëzit në publik para se t’i dënojë gjykata kompetente, porositi presidenti.
“Megjithatë, të gjitha përpjekjet tona do të bien në ujë nëse organet kompetente gjyqësore rreshtohen me personazhe për të cilët i gjithë opinioni e di se u kanë siguruar fëmijëve dhe nipërve të tyre të palindur para nga populli. Një tezë që shumë prej nesh e përsërisin prej vitesh është se nuk ka drejtësi nëse nuk ka politikanë aktualë në burg për korrupsion, por nuk do të ketë drejtësi për sa kohë që gjyqtarët dhe prokurorët që marrin vendime skandaloze që ndoshta kanë motive korruptive janë në liri”, tha kreu i shtetit.
Sipas tij, rreziku më i madh për sigurinë tonë kombëtare mbetet demografia, siç dëshmojnë rezultatet e regjistrimit të fundit të popullsisë.
“Për tre vjet e gjysmë, pjesën më të madhe të kohës e kam kaluar në biseda me të rinjtë, duke folur për nevojat dhe problemet e tyre – standardin rinor, arsimin. Isha patron i një duzinë nismave dhe projekteve me organizata të shoqërisë civile vendase dhe të huaja për pjesëmarrje më të madhe të të rinjve në vendimmarrje, për funksionalizimin e Ligjit për të rinjt, projektligjit të ri për arsimin e mesëm. Dhe vitin e ardhshëm, e njëjta axhendë do të mbetet në krye të prioriteteve të mia. Megjithatë, sistemi duhet të funksionojë sepse iniciativat individuale nuk mjaftojnë. Është e nevojshme që sa më shpejt të arrihet një konsensus dhe strategji e gjerë shtetërore për këtë çështje, e cila do të përcaktojë të ardhmen tonë shumë më tepër sesa ndryshimi i Kushtetutës”, tha presidenti.
Presidenti i shtetit tradicionalisht çdo vit para përfundimit të vitit kalendarik mban një fjalim para deputetëve në të cilin prezanton pikëpamjet e tij për zhvillimet aktuale në vend dhe në botë.