Maqedoni

Aksion i madh në Shkup, arrestohen 11 persona nga Studeniçani dhe Gazi Baba, mes tyre një polic

Sot, në orët e hershme të mëngjesit, me urdhër të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pjesëtarët e MPB-së kanë zhvilluar një aksion të koordinuar në disa lokacione në Komunën e Gazi Babës dhe Komunën e Studeniçanit. Në aksion janë arrestuar nëntë persona, mes të cilëve dy adoleshentë mbi 16 vjeç dhe dy persona janë në kërkim, njofton Prokuroria Publike.

Prokurori publik, duke vepruar në bazë të kallëzimit penal, ka lëshuar Urdhër për zbatimin e procedurës hetimore ndaj 11 personave dhe procedurë përgatitore për dy adoleshentët. Mes të dyshuarve është edhe një polici, si dhe dy persona të cilët aktualisht janë duke vuajtur dënimin me burg për veprën e kontrabandës me migrantë. Ekziston dyshimi i bazuar se të gjithë të dyshuarit kanë kryer veprën e organizimit të grupit dhe nxitjes së kryerjes së krimeve të trafikimit të qenieve njerëzore, trafikimit të fëmijëve dhe kontrabandës me migrantë nga neni 418-c dhe kontrabandës me migrantë nga neni 418-b të Kodit Penal./Lideri.mk