RMV: Siguria e ueb-faqeve të institucioneve shtetërore është proces i kushtueshëm, mungojnë ekspertë, trajnime dhe standarde
Në periudhën e kaluar, ueb-faqet e institucioneve shtetërore kanë qenë cak i sulmeve të hakerëve. Më të fundit janë rastet me sistemin “IKnow” për mbështetjen elektronike të universitetit më të madh shtetëror në vend, “Shën Kirili dhe Metodi”, i cili nuk funksiononte me ditë të tëra, ndërsa për më shumë se dy javë jashtë përdorimit të plotë ishte ueb-faqja e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Në shtator, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave ishte shënjestër e një sulmi të ashpër hakerimi nga grupi rus BlackByte, i cili e paralizoi punën e institucionit dhe për rrjedhojë, të gjitha sistemet ishin jashtë përdorimit, raporton Meta
A ka ndonjë mënyrë për të rritur rezistencën dhe sigurinë e shërbimeve dhe ueb-faqeve të institucioneve shtetërore? Si të parandalohen sulmet, “rëniet e sistemeve” dhe bllokadat, duke pasur parasysh faktin se ato janë pasqyra e shtetit, andaj duhet të mbrohen në mënyrë adekuate? Për këtë temë, Meta.mk bisedoi me Vlladisllav Bidikovin, ekspert i TI-së nga Fakulteti i Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FSHIIK), si dhe me Prof. Dr. Aleksandra Mileva nga Fakulteti i Informatikës në Universitetin e Shtipit “Goce Dellçev”.
Rezistenca e ueb-faqeve të institucioneve shtetërore duhet të bazohet në praktikat e mira të sigurisë në drejtim të përdorimit të teknologjive moderne dhe krijimit të produkteve të bazuara në parimin e “sigurisë sipas dizajnit”, konsideron Bidikov. Sipas tij, bëhet fjalë për një proces të krijimit të zgjidhjeve në ueb sipas nevojave të institucionit, dhe më pas, përmes zbatimit të një zgjidhjeje teknike të përshtatshme që i plotëson praktikat e mira të pranuara gjerësisht për modernitet dhe shkallëzim, dhe një proces të vazhdueshëm mirëmbajtjeje, optimizimi dhe përmirësimi, do të përmbushen kërkesat.
“Qasja ndaj sfidave të tilla të sigurisë në vendet përreth dhe në botë në përgjithësi është në drejtim të rritjes së rezistencës (resilience) dhe në drejtim të monitorimit proaktiv të zhvillimeve. Faktor i rëndësishëm në këtë proces është mirëmbajtja e vazhdueshme e sistemeve në përputhje me praktikat më të mira në fushën e sigurisë kibernetike” – vlerëson Bidikov.
Në rastin e institucioneve shtetërore, konsideron Bidikov, kjo sfidë është e ngarkuar edhe me tema të caktuara që kanë të bëjnë me fushën e prokurimeve publike dhe kufizime në proceset e tilla sipas koncepteve të balancës për sa i përket çmimit-cilësisë ose çmimit më të ulët të mundshëm, pa pasur plane afatgjatë në lidhje me modularitetin dhe qëndrueshmërinë e zgjidhjeve.