Rashidi: Mos derdhni lotë krokodili për lirimin e Mijallkovit
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Syrija Rashidi ka reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatës së Apelit për të shfuqizuar vendimin e shkallës së parë me të cilin Sasho Mijallkov dënohej me burg në rastin “Traget – Fortesa”.
Rashidi ka theksuar se rasti i djeshëm skandaloz me lirimin e Sasho Mijallkovit nga dënimi me 12 vjet burg nuk guxon të kalohet vetëm me deklarata dhe distancime.
“Reagimet e disa pushtetarëve që derdhin lotë krokodili për një sistem të instaluar që falë kriminelët, janë vetëm tentim për të mjegulluar dhe mashtruar qytetarët. Në vend të reagimeve deklarative, institucionet duhet urgjentisht të gjejnë fajtorët e këtij skandali. Ata duhet të kërkohen në mesin e gjykatësve të Gjykatës Penale të cilët është e qartë se qëllimisht kanë bërë lëshime procedurale, për të krijuar një situatë ku Apeli do ta shfuqizonte vendimin. Fajtorët duhet të kërkohen në kurdisjen e këshillave gjyqësor, ku vërehet se gjithmonë dalin gjykatësit e njëjtë pas çdo “lëshimi” ose vendimi për shfuqizim të dënimeve. Ky është hapi i parë dhe më urgjent që duhet bërë, me qëllim të parandalimit të mundësisë që ata të krijojnë situata të ngjashme në të ardhmen.”, thotë Rashidi nga ASH.
Pas këtij rasti, sipas deputetit të ASH-së, të gjithë duhet t’i qasen reformës thelbësore në sistemin e drejtësisë.