Maqedoni

Hajredini porosi Ali Ahmetit: Ju bëtë katastrofë, Prishtina s’ka nevojë për mbështetjen tuaj

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka uruar lidershipin e Kosovës pas dorëzimit të aplikacionit për anëtarësim në BE.

“Shkupi do të jetë mbështetës për Prishtinën në këtë rrugëtim, duke ndarë përvojën së bashku”, ka shkruar Ahmeti.

Por, njohësi i zhvillimeve politike dhe ish-ministri i PPD-së, Xhevdet Hajredini ka reaguar ndaj një urimi të tillë të Ahmetit, i cili i ka thënë: “Shikoni fatkeqësinë e vërtetë në të cilën, me mbështetjen tuaj, krimin dhe korrupsionin, ndodhet Maqedonia”.

“S’ka nevojë Prishtina për mbështetjen tënde. Jo shumë moti e akuzove Albin Kurtin se Kosovën do t’ia rikthejë Serbisë. Si s’ke turp! Shihe ti katastrofën e vërtetë në të cilën, me mbështetjen tënde, me krim dhe korrupsion gjendet Maqedonia”, ka shkruar Hajredini në profilin e tij në facebook.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti dje po ashtu përmes rrjeteve sociale ka ndarë urimet me rastin e aplikimit të Kosovës.

“Anëtarësimi i plotë i të gjitha vendeve nga Ballkani Perëndimor në familjen e madhe evropiane është interes gjeopolitik jo vetëm për ne, por edhe për mbarë Evropën”, theksoi Ahmeti në urimin.

Duke thënë se Shkupi do të jetë mbështetja e Prishtinës në rrugën drejt BE-së, Ahmeti u bëri thirrje vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet që ta bëjnë këtë tani dhe në këtë mënyrë të mbështesin aplikimin për anëtarësim në BE. (INA)