Reagon AlternAtivA: Të zgjidhet sa më shpejtë çështja e punëtorëve në NPK “Tetova”
Mosdhënia e pagave dhe mungesa e kushteve elementare për punë në Ndërmarrjen Publike Komunale “Tetova” është e papranueshme për partinë AlternAtiva, thotë keshilltari i kësaj partie në komunën e Tetovës, Faton Selami.
Ai shton se si Këshilltar në komunën e Tetovës, ngrit zërin që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejtë.
“Duke e ditur se këta persona janë përgjegjës dhe mirëmbajnë pastërtinë e qytetit të Tetovës, në asnjë moment nuk duhet lejuar që të nëpërkëmbet mundi i tyre.
Mbi gjitha, kur dihet se kemi të bëjmë me një krizë të madhe ekonomike, lënia për tre muaj pa paga, edhe më shumë vështirëson jetën e këtyre punëtorëve që me shumë nder e kryejnë punën e tyre.
Kërkojmë nga autoritetet përgjegjëse që sa më shpejtë të zgjidhë këtë çështje dhe këta persona të paguhen për mundin e dhënë dhe të mund t’i ushqejnë familjarët e tyre”, theksoi Selami.