Maqedoni

Djalit të Talat Xhaferi mund ti merret çertifikata e provimit të jurisprudencë

Persona të cilët në mënyrë të kundërligjshme kanë dhënë provimin e jurisprudencës, me gjasë ushtrojnë profesionin e gjykatësve dhe prokurorëve publik por zhdukja e dokumenteve nga dikasteri i Drejtësisë si dhe zbulimi i këtij fenomeni vonë, vështirëson procesin e zbulimit të emrave të tyre. Kështu vlerësojnë nga Komisioni antikorrupsion duke mos përjashtuar mundësinë ligjore që djalit të kryeparlamentarit Talat Xhaferi, Barlet Xhaferi, t’i merret certifikata e provimit të jurisprudencës. megjithatë, këto veprime do të pasojnë pas hetimeve për të gjithë gjykatësit dhe prokurorët publik që momentalisht e kryejnë këtë funksion.
“Ligji lejon një mundësi të tillë, megjithatë kthehet mbrapsht 5 vite, këtu kemi më shumë vite, gjegjësisht 7 vite. Megjithatë, përsëri e them, në qoftë se vërtetojmë këtë fenomen në më shumë gjykatës apo prokurorë publik të cilët momentalisht e kryejnë këtë funksion, atëherë mbase në një nivel tjetër do të duhet të vendoset se çfarë do bëhet”, tha Biljana Ivanovska, kryetare e Komisionit për Antikorrupsion.
Alsat dje siguroi një dokument që vërteton se një prej provimeve të jurisprudencës, Barlet Xhaferi e kishte dhënë në kohën kur ministër ka qenë Adnan Jashari. Por ngelet e paqartë se në kohën e cilit ministër i është dhënë drita e gjelbër Barlet Xhaferit për të hyrë në provimin e jurisprudencës, pa qenë i pajisur me 300 kreditë e nevojshme.

“Këtë informacion nuk e dinte as vetë Barlet Xhaferi të na thotë kur e thirrëm këtu, nuk i kujtohej saktë se kur i ka dorëzuar dokumentet për këtë arsye ne e kërkuam kërkesën nga ana Ministria e Drejtësisë dhe të gjithë dokumentacionin, nga atje na u përgjigjën se ministri ka vendosur që dokumentet t’i ruajë vetëm për një vit dhe për këtë ne nuk mundëm ta vërtetojmë se kur është dorëzuar kërkesa, në mandatin e kujt”, shtoi ajo.
Sipas ministrisë së Drejtësisë, i vetmi dokument që mbartë emrin dhe mbiemrin e Barlet Xhaferit dhe ka shpëtuar i zhdukjes në ministrinë e Drejtësisë, është ai që vërteton datën kur ka dhënë provimin kandidati.
“Dokumentet në periudhën kur ka kaluar provimin Barlet Xhaferi në vitin 2015 janë ruajtur 1 vit. Dokumenti i vetëm ku qëndron emri i tij është në librin për evidenca në të cilën thuhet se ka kaluar provimin e jurisprudencës më 05.02.2015.”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.
Ndryshe, Antikorrupsioni paralajmëroi që ka angazhuar Arkivin Shtetëror për të kontrolluar në qoftë se zhdukja e këtyre dokumenteve pas 1 viti përbën shkelje ligjore.
Ditëve në vijim Antikorrupsioni do të angazhojë Inspektoratin e Arsimit të kryejë kontrolle në qoftë se përveç UEJL-së, edhe universitetet tjera kanë dhënë vërtetime të tilla. Përveç kësaj, Shemsi Sallai nga antikorrupsioni paralajmëroi se do të hetohet në qoftë se përveç kësaj, janë dhënë edhe diploma të falsifikuara./alsat