Maqedoni

Ulet përsëri buxheti për shkencë në RMV

Vazhdon rënia e investimeve dhe ndarja e buxhetit për shkencë në vendin tonë. Ashtu sikur viteve të kaluara edhe këtë vit nga buxheti i paraparë, për shkencë nuk do të kalojnë as një përqindëshin nga buxheti i përgjithshëm. Ndërkohë investimet në shkencë janë në rënie të vazhdueshme për 10 vjet me radhë.

Në propozim-buxhetin për vitin 2023, i cili është në fazën e miratimit, për shkencën janë planifikuar rreth 4.375.000 euro apo 268.236.000 denarë. Ky buxhet i paraparë për shkencë gjatë vitit 2023 është më i ulëti në 10 vitet e fundit. Ndërkohë në vitin 2014 për shkencën ishin ndarë 0.44 për qind e buxhetit të përgjithshëm, derisa këtë vit është lënë mënjanë vetëm 0.15 për qind, derisa për vitin e ardhshëm është planifikuar vetëm 0.08 për qind e buxhetit të përgjithshëm të shkojnë për shkencë. Për vitin e ardhshëm janë planifikuar 66 për qind më pak para për shkencën në krahasim me vitin 2014.

Maqedonia e Veriut, qëndron tepër keq në krahasim me vendet e rajonit për investimet në shkencë. Shifrat e treguar për investime në shkencë dhe kërkime shkencore, duke pasur parasysh Bruto Prodhimin Vendor (BPV), tregon se Maqedonia e Veriut, është shumë larg mesatares së BE-së. RMV mbetet gjithashtu edhe pas vendeve të rajonit si Sllovenia, Greqia, Kroacia, Serbia dhe Bullgaria. Derisa dy vende më keq në rajon qëndrojnë Mali i Zi dhe Bosnje dhe Hercegovina.

Profesori universitar Veland Ramadani, i cili është renditur edhe si pjesë e dy për qind të shkencëtareve më me ndikim, për gazetën KOHA, ka deklaruar se me vëmendje ka përcjellë debatet rreth buxhetit të projektuar për vitin 2023.

“Për habinë time dhe shumë të tjerëve, është projektimi i buxhetit për shkencë në vetëm 0,08 për qind nga bruto-prodhimi vendor. Edhe nëse dikush do të donte të justifikohej se kemi preokupime më të rëndësishme, si çështja e inflacionit apo kriza energjetike, Qeveria në asnjë mënyrë nuk do të duhej që të reduktonte mjetet për përkrahjen e shkencës dhe hulumtimit dhe t’i orientonte ato në destinacione dhe projekte tjera! Duke konsideruar se gjithnjë e më shumë po rritet presioni ndaj stafit akademik të universiteteve në vend për të realizuar studime më serioze dhe për të publikuar punime në revista prestigjioze me faktor ndikimi më të lartë për ta evidentuar rënien e vazhdueshme të universiteteve tona në rangimet e ndryshme ndërkombëtare, vlerësoj se qeveria do të duhej të jetë më e fokusuar në këto çështje”, u shpreh ai.

Sipas tij, për këtë arsyeje Qeveria duhej të mendonte për përkrahje më serioze të shkencës në vend. Ramadani në fund shtoi se pas shumë kritikave ndaj stafit akademik dhe rangimit të ultë të universiteteve tona, çmoj se përkrahja në vazhdimësi do të duhet të rritej, së paku, fillimisht në nivel të vendeve të rajonit dhe më pastaj të atyre të vendeve perëndimore.

Ndryshe, një hulumtim që është publikuarën në fund të vitit të kaluar, rreth cilësisë dhe kushteve në arsimin e lartë, stafi akademik e ka vlerësuar shumë ulët cilësinë e arsimit të lartë në RMV. Nga nota 1 si më e ulët e deri në 5 si nota më e madhe, ndarja e buxhetit për shkencë u vlerësua mesatarisht me notën 1.4. Nga i gjithë stafi akademik i anketuar 87 për qind e tyre kanë dhënë vlerësim negativ sa i përket ndarjes së buxhetit për shkencë, ndërsa vetëm 1 për qind e profesorëve dhe bashkëpunëtorëve të anketuar të anketuar kanë dhënë mendim pozitiv.

Ndërkohë sa i përket gjendjes së shkencës dhe arsimit të lartë në vend, 55.3 për qind e anketuarve kanë dhënë vlerësim të keq për gjendjen e shkencës në vend, 33.2 për qind ishin neutralë, ndërsa vetëm 11.5 për qind dhanë një vlerësim pozitiv për cilësinë e shkencës. /koha/