Kosovë

Kurti e akuzon Borrellin për heqje dorë nga normalizimi e Osmani ia liston marrëveshjet që s’i zbatoi Serbia

Takimi i sotëm në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, nuk solli asnjë rezultat.

E, për këtë gjë reagoi shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i cili e la fajtore palën kosovare për mosarritjen e një marrëveshjeje në lidhje me situatën e fundit në veri të Kosovës.

Kjo bëri që krerët e shtetit t’i reagojnë ati të diplomacisë evropiane, ku e para e shtetit të Kosovës, Vjosa Osmani, bëri një reagim të gjatë e të ashpër, duke ia përmendur 15 marrëveshje të cilat Serbia s’i ka zbatuar.

Ajo e akuzoi Borrellin për anshmëri në procesin e dialogut, dhe sipas saj, ky i fundit akomodoi agresorin, në këtë rast Serbinë, dhe siç tha ajo, Borrell bëri një prezantim të një realiteti tërësisht të shtrembëruar.

“Sikur Borrell t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit, do t’ia përmendte Serbisë, së paku disa nga këto marrëveshje të shkelura të Brukselit, në vend se ta akuzonte Kosovën:

1.Shkelja e obligimit për shpërbërjen e strukturave paralele ilegale kriminale, ashtu siç kërkohet në Marrëveshjen e vitit 2013. Përkundrazi, këto struktura sot përkrahen, financohen e armatosen nga Vuçiq, me qëllim të sulmit ndaj Kosovës sipas stilit e planit të Putinit”.

“2. Moszbatimi i Planit të Zbatimit të Marrëveshjes së vitit 2013, ku kërkohet që të dyja palët të miratojnë ligje për amnisti. Deri tani, vetëm Kosova e ka miratuar”

“5. Shkelja e pikave 9, 10 dhe 11 të Marrëveshjes së vitit 2013 ku është paraparë integrimi i serbëve në polici, gjyqësi, etj. Për më tepër, ditët e fundit kemi parë shkelje flagrante të kësaj marrëveshjeje me nënshkrimin e kontratave me institucionet ilegale të Serbisë dhe asnjë reagim të BE-së”

“Lista është më e gjatë se kaq.Paqja dhe stabiliteti nuk mund të arrihen duke akomoduar ata që kanë ambicie hegjemoniste. Por, Kosova asnjëherë nuk do të heq dorë nga qëllimi i qartë për paqe e stabilitet afatgjatë si dhe rend e ligj në tërë territorin e saj”, ka shkruar Osmani, transmeton Klankosova.tv.

Menjëherë pas takimit, reagim për Borrellin pati edhe kreu i qeverisë, Albinb Kurti, i cili tha se diplomati spanjoll hoqi dorë nga propozimi për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, që sipas Kurtit, afati ishte caktuar për në marsin e vitit 2023.

“Me keqardhje mund të them që ndërmjetësit, në këtë rast Borrell hoqi dorë nga ky afati i marsit të vitit 2023 dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Po them me keqardhje sepse vetë e kanë propozuar marsin e vitit 2023 dhe në anën tjetër propozimi është i Bashkimit Evropian”.

“Kur u takuam në Paris në Forumin për Paqe, Borrell tha se propozimi nuk është franko-gjerman, por i BE-së dhe i mbështetur nga Franca dhe Gjermania. Sot ai hoqi dorë nga propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Unë jam i gatshëm që të vijë këtu të zhvillojë takime gjithmonë me strukturën dhe rendin e njëjtë. Shpresoj që BE t’i rrijë prapa propozimit të vetë për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë”, tha Kurti, transmeton Klankosova.tv.