Maqedoni

Taravari u takua me Kovaçevskin: Nuk biseduam për hyrjen e ASH-së në Qeveri

Ushtruesi i detyrës kryetar i ASH-së, Arben Taravari menjëherë pas mbarimit të takimit me kryeministrin Dimitar Kovaçevski deklaroi se në takim nuk është diskutuar për hyrjen e ASH-së në Qeveri. Sipas tij fokusi i bisedës është vënë në integrimin e vendit në BE.

“Në vazhdën e takimeve, konstatuam se rruga evropiane e Maqedonisë patjetër të vazhdoj. Ne si ASH do të jemi mbështetës të këtij procesi, biseduam dhe për luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Për ligjet që janë të bllokuara në Kuvendin e Maqedonisë, siç janë dhe ligjet që ndihmojnë që Maqedonia të afrohet në BE. Nuk kemi marrë ofertë për hyrje në Qeveri, në momentin që do të ketë një ofertë të tilë, do të jeni të informuar me kohë”, tha Arben Taravari, u.d. kryetar i ASh-së.

“ASH-është parti serioze, në rast se marrim një ofertë serioze, do ta shqyrtojmë dhe analizojmë sepse një vendim të tillë duhet ta marrin organet e partisë. Nuk kemi marrë ofertë për hyrje në Qeveri”, tha Taravari.

“Ne kemi një paket masash të cilat i kemi prezantuar edhe para faktorit ndërkombëtare dhe disa partive politike, këto do të jenë vijat tona të kuqe, pavarësisht nëse do të jemi në pushtet apo opozitë, ne do të insistojmë që ato të miratohen”, tha Taravari.