Kolumna

Kimete Berisha: Edhe unë jam e poshtër!

Kimete Berisha

Njeriut më të mençur që njoh (Fatmire Berisha) i thashë:
– Dëgjo mirë çka po të them:
Njerëzit me fytyrë të ëmbël janë më të rrezikshmit.

Motra, u kthye kah unë e buzëqeshur, më shikoi, por nuk tha asgjë.

– Duke filluar nga unë- e plotësova fjalinë.
Edhe ata gojëmblit – ata janë shumë të poshtër – më të poshtrit.
Ata ta fikin derën e shpisë, ta plasin zemrën.
Ata të hidhërojnë me ëmbëlsi.

Kështu që: sa më i pashpirt, sa më indiferent, sa më i painteresuar dhe sa më i poshtër që duket njeriu – aq më i mirë është, sepse nuk mundohet me t’mashtru.

Mashtrim ka vetëm aty ku ka besim, ku ka fjalë të buta, premtime, ëndrra, aty ku ka kujdes dhe ku personi i pandehur shpreh dhimbje për Ty……
kurse fjalët përkëdhelëse: zemër, shpirt, loçkë…janë baza e krimit të organizuar (gramatikor) kundër dashurisë.

Mua më së lehti më mashtron me pyetjen: A ke hëngër?
(sepse, ka diçka prindërore në këtë pyetje)!
Dhe, më pëlqen revolta e të pandehurit: “Mos më nervozo me këto dieta”!
E më së shumti, më pëlqen vërejtja (e aktruar, kuptohet): Kur të thërras pas një ore pres me m’tregu që ke hëngër.

Mitrovicë, 14.11.2022

P.S. “Në këtë moshë, dashuria më nuk është fitore”.
(varg boshnjak)